Greqia s’e njeh Kosovën, por bashkë organizojnë forum ekonomik në Athinë


Gazeta Express
15 Prill 2019 19:35

Greqia vazhdon të jetë ndër vendet e pakta të Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, por ky fakt nuk e ka penguar atë që bashkë me Kosovën të organizojnë një forum ekonomik në Athinë.

Të hënën, në kryeqytetin grek është mbajtur Forumi i dytë Ekonomik Greqi – Kosovë, pas atij të parit, që ishte mbajtur në marsin e vitit 2017, në Prishtinë.

Ky forum vjen si organizim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, me koordinimin e Zyrës Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës në Athinë, dhe nga bashkëpunimi i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut në Athinë, si dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve/KIESA.

Kështu ka bërë të ditur MPJ e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi.

“Ky forum, në të cilin morën pjesë mbi pesëdhjetë biznese nga Kosova dhe Greqia, kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve si dhe forcimin e lidhjeve biznesore të kompanive greke dhe kosovare”, thuhet në njoftim.

“Gjatë forumit janë mbajtur takimet G2B dhe B2B, në sektorët e ndërtimtarisë, turizmit, agro-biznesit, përpunimit të ushqimit, përpunimit të metaleve, përpunimit të drurit, teknologjisë informative, shëndetësisë, sektorit farmaceutik dhe energjisë”, thekson MPJ.

Sipas njoftimit, më pjesën e parë të forumit janë mbajtur fjalë rasti nga Kryetarët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut si dhe nga përfaqësues institucional grek.

“Në të njëjtën kohë një fjalë përshëndetëse e ka mbajtur edhe Udhëheqesi i Zyrës së Kosovës në Athinë. Ndërsa, në pjesën e dytë të forumit janë bërë​ prezantimet mbi potencialet për investime nga Enterprise Greece si dhe nga Agjencia KIESA”, përfundon njoftimi.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart