Grenell për marrëveshjet e reja Kosovë-Serbi: Vizioni i Trumpit tani po zbatohet - Gazeta Express
string(79) "grenell-per-marreveshjet-e-reja-kosove-serbi-vizioni-i-trumpit-tani-po-zbatohet"

Grenell për marrëveshjet e reja Kosovë-Serbi: Vizioni i Trumpit tani po zbatohet

Gazeta Express

25/01/2020 19:57

I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Serbinë dhe Kosovën, ka thënë të shtunën se një marrëveshje për riaktivizimin e shërbimit hekurudhor ndërmjet dy rivalëve ballkanikë është i rëndësishëm për të dyja shtetet.

Richard Grenell, i cili është po ashtu ambasador i Amerikës në Gjermani, ka thënë se krijimi i linjave të trenit është bërë prioritet pasi zyrtarët amerikanë ndërmjetësuan një tjetër marrëveshje më herët gjatë javës, për të riaktivizuar trafikun ajror ndërmjet dy vendeve pas 21 vjetësh.

Lexo Edhe:

Grenell vizitoi kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, dhe kryeqendrën e Serbisë, Beogradin, këtë javë. Ai tha të premten, gjatë një konference për media në Beograd, se detajet e një marrëveshjeje për të riaktivizuar shërbimin hekurudhor do të diskutohen gjatë një takimi në Berlin, të hënën.

“Vizioni i presidentit Trump tani po zbatohet. Komuniteti i biznesit dhe fokusi mbi krijimin e vendeve të punës po e çel udhën”, ka thënë Grenell në një deklaratë të shkruar për The Associated Press.

Grenell është emëruar nga Trump në tetor si i dërguar i posaçëm për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian filluan më 2011, dhe kanë ngecur që kur Kosova ka vënë një tarifë ndaj mallrave serbe më 2018.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, ndonëse ish-provinca e saj është njohur nga rreth 100 shtete, përfshirë SHBA’në dhe shumicën e shteteve të BE’së, kujton AP.

Grenell ka thënë se Amerika dëshiron që të dyja palët të përqendrohen mbi ekonominë, vendet e reja të punës dhe prosperitetin, si rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ai i ka porositur Serbinë dhe Kosovën që t’i heqin pengesat që i kanë bllokuar bisedimet që më shumë se një vit. /Express/