Grenell nesër në Kosovë, pastaj në Serbi, Greqi dhe Izrael - Gazeta Express
string(56) "grenell-neser-ne-kosove-pastaj-ne-serbi-greqi-dhe-izrael"

Grenell nesër në Kosovë, pastaj në Serbi, Greqi dhe Izrael

Gazeta Express

20/09/2020 16:23

Emisari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, bashkë me 13 zyrtarë tjerë amerikanë do të vijnë të hënën në Kosovë. Ky delegacion, përveç Kosovës, pritet të vizitojë edhe Serbinë, Greqinë e Izralein, shkruan Gazeta Express

T7 mëson se Grenell bashkë me delegacionin, do të kenë vizita pesëditore, nga data 20 deri më 25 shtator.

Lexo Edhe:

Përveç Kosovës, Grenell bashkë me 13 zyrtarët tjerë amerikanë do të vizitojnë edhe Serbinë, Greqinë dhe Izraelin.

Pjesë e këtij delegacioni do të jetë edhe Adam Boehler, Kryeshef Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave.

Delegacioni do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe udhëheqës të sektorit privat.

Njoftimin për ardhjen e zyrtarëve amerikanë e ka bërë të ditur edhe Korporata Ndërkombëtare e Financave (DFC).

“Delegacioni do të avancojë investimet strategjike që mbështesin diversitetin e ofertave dhe fuqizimin e pavarësisë energjetike në Greqi dhe rajonin më të gjerë. DFC do t’i vëjë themelet për hapjen e një zyreje në Beograd për lehtësimin e zbatimit të projekteve që mbështesin zhvillimin ekonomik në rajon”, thuhet në njoftim.

Kjo vizitë e emisarit Grenell dhe zyrtarëve tjerë amerikanë do të realizohet për të verifikuar se deri ku ka shkuar zbatimi i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi.

Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizim ekonomik, e cila u konsiderua historike për faktin se hap rrugë të dy vendeve drejt një normalizimi të raporteve ekonomike si dhe hapet rruga për investime në gjithë rajonin përfshirë në autostrada, hekurudha dhe gaz./GazetaExpress/

Njoftimi i Ambasadës Amerikane në Kosovë:

Delegacioni i Qeverisë së SHBA do të udhëtojë në Greqi, Kosovë, Serbi dhe Izrael.

Një delegacion i qeverisë amerikane i udhëhequr nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA (DFC) Adam Boehler do të udhëtojë në Athinë, Greqi; Prishtinë, Kosovë; Beograd, Serbi; dhe Jerusalem Izrael nga 20 shtator deri më 25 shtator për të avancuar bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik.

Boehler do të bashkohet me këshilltarin special të presidentit për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, zëvendës administratori për Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Bonnie Glick, president dhe kryetar i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM) Kimberly Reed, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë të SHBA.

Delegacioni do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe udhëheqës të sektorit privat.

Udhëtimi i delegacionit vjen pas Marrëveshjeve historike midis Izraelit, EBA dhe Bahrejnit dhe marrëveshjes së normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës.

DFC, banka e zhvillimit të Amerikës, lehtëson investimet e sektorit privat dhe ofron një alternativë parimore të financimit ndaj regjimeve autoritare. DFC punon ngushtë me USAID, EXIM dhe agjencitë e tjera qeveritare për të promovuar zhvillimin dhe avancimin e politikës së jashtme të SHBA përmes mjeteve të saj të financimit.

Delegacioni do të çojë përpara investimet strategjike që mbështesin shumëllojshmërinë e furnizimeve dhe forcojnë pavarësinë e energjisë në Greqi dhe rajonin e gjerë.

DFC do të hedhë bazat për hapjen e një zyre në Beograd për të lehtësuar zbatimin e projekteve që do të mbështesin rritjen ekonomike në rajon. DFC dhe EXIM së fundmi nënshkruan Letrat e Interesit me Serbinë dhe Kosovën për të ndihmuar financimin e projekteve të rëndësishme të identifikuara në marrëveshjet e 4 shtatorit.

Delegacioni gjithashtu do të vlerësojë mundësitë për të zgjeruar investimet në rajon për të rritur stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në Lindjen e Mesme.