Grenell apo Borell, kush do t’ia gjejë fijen lëmshit Kosovë - Serbi - Gazeta Express
string(63) "grenell-apo-borell-kush-do-tia-gjeje-fijen-lemshit-kosove-serbi"

Gazeta Express

02/01/2020 18:27

Grenell apo Borell, kush do t’ia gjejë fijen lëmshit Kosovë – Serbi

Gazeta Express

02/01/2020 18:27

Dialogu për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar prej më shumë se një viti. Një proces të tillë e kanë futur në një rrugë qorre diskutimet Thaçi-Vuçiq për korrigjim të kufijve dhe taksa që qeveria e Ramush Haradinajt kishte vendosur ndaj Serbisë. Por, 2020’tën shumëkush e sheh si një periudhë kur mund të ringjallet dialogu dhe të arrihet një marrëveshje. Evropianët shihen si ndërmjetës të natyrshëm, por Donald Trump tashmë ka shfaqur planet për t’ua marrë nga dora procesin.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë zhvilluar raunde të tëra bisedimesh dypalëshe Kosovë-Serbi. Në vitin 2013 ndërkohë ishte arritur nënshkrimi i Marrëveshjes së shumë diskutuar të Brukselit e cila mendohej se do të çonte dy vendet drejt njohjes reciproke.

Megjithatë një marrëveshje e tillë ka mbetur vetëm ne letër, derisa Prishtina dhe Beogradi drejtojnë akuza për mosrespektim të saj. Kosova akuzon Serbinë se nuk respekton një sërë marrëveshjesh që lidhen me energjinë, lëvizjen e lirë, ndërkohë Beogradi vazhdon t’ia përmend Kosovës mos themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Përgjatë gjithë këtyre viteve nuk kishte kurrfarë përparimi drejt arritjes së një marrëveshje finale mes dy shteteve, ndërkohë që acarimi i raporteve ka mbërrirë kulminacionin.

Ndërkohë Bashkimi Evropian insistonte në arritjen e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi që do të vendoste paqe në gjithë rajonin dhe që do t’iu hapte dy shteteve rrugën e integrimit drejt BE’së.

Një gjë e tillë duket se ka shtyrë edhe dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq të eksperimentojnë drejt arritjes së një marrëveshje finale që potencialisht mund të zgjidhte përfundimisht problemin Kosovë-Serbi.

Të dy liderët të papenguar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Federica Mogherini, kishin filluar diskutimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim të territoreve si metodë për arritjen e një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd.

Nga disa Thaçi e Vuçiq akuzoheshin edhe për takime të fshehta, megjithatë publikisht për mundësinë e korrigjimit të kufijve ishte diskutuar në Forumin e Alpbachut që ishte mbajtur në gushtin e vitit 2018 në Austri i organizuar nga kancelari Sebastian Kurz dhe presidenti Alexander Van Der Bellen.

Hashim Thaçi dhe Alexander Vuçiq për herë të parë aty kishin folur për mundësinë e korrigjimit të kufijve, e një ide të tillë hapur e përkrahte edhe vetë kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Një gjë e tillë kishte vënë në alarm shtetet e fuqishme të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu edhe faktorin politik në vend, që u mobilizuan fuqishëm për ta kundërshtuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në shtator të vitit 2018 kishte dalë e prerë kundër prekjes së kufijve. Merkel nga Shkupi kishte thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta ruajnë integritetin territorial.

“Ne si Gjermani dhe si evropian kemi interes për rajon stabil. Kjo është kyç për stabilitet të Evropës në përgjithësi. Unë besoj se integriteti territorial është kyç për rajonin”, kishte thënë Merkel në Shkup.

Në kundërshtimin e një ideje të tillë ishte edhe i gjithë faktori politik në Kosovë. E kundërshtonin të gjitha partitë politike, ndërkohë Ramush Haradinaj i sapozgjedhur atë kohë kryeministër thoshte se një ide e tillë kthen në tragjeditë e së kaluarës duke përmendur edhe çizmet e luftës.

Prekja e kufijve i kishte shndërruar Haradinajn e Thaçin në kundërshtarë të ashpër politik. Secili sa herë i jepej rasti e sulmonte tjetrin.

Duke e parë një situatë të tillë, qeveria e Ramush Haradinajt kishte marrë një vendim për taksë 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnje e Hercegovina.

Ky vendim u bë edhe pengesa kryesore për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, duke qenë se Serbia ishte barrikaduar dhe thoshte se në tavolinën e negociatave kthehet vetëm pasi të hiqet taksa.

Derisa muajt kalonin drejt Haradinajt shtohej edhe presioni ndërkombëtar. Duke filluar nga SHBA’të, Franca, Gjermania e Bashkimi Evropian të cilët kërkonin me ngulm heqjen e taksës.

Ky presion ndërkombëtar kishte bërë që Haradinaj të mbetej i vetëm në përkrahje të vendimit të tij për taksë ndaj Serbisë, e për të cilin thoshte se po e parandalon ndarjen e Kosovës, meqë kishte bllokuar negociatat Prishtinë-Beograd ku po lejohej të diskutoheshin edhe kufijtë.

Derisa për taksën kishte një qëndrim të unifikuar ndërkombëtar se duhej të hiqej me qëllim të rifillimit të negociatave Kosovë-Serbi, për idenë e korrigjimit të kufijve nga Bashkimi Evropian dhe SHBA’të vinin sinjale të përziera.

Franca shihej si një prej shteteve që po e përkrah një ide të tillë, ndërkohë situatën më shqetësuese e kishte bërë qëndrimi i SHBA’së së përkrah çfarëdo marrëveshje për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia. Një deklaratë e tillë u interpretua edhe si mbështetje për korrigjimin e kufijve.

Një situate të tillë i kishte vënë edhe më shumë zjarrin një letër e presidentit të SHBA’së, Donald Trump, që u kishte drejtuar Thaçit e Vuçiqit, prej ku kërkonte nënshkrimin e një marrëveshje që në letër cilësohej si historike.

“Unë iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet. Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”, thuhej në letrën e dhjetorit që Trump i kishte dërguar presidentit Thaçi.

Pas kësaj letre të Trump ku kërkohej një marrëveshje e shpejtë Kosovë-Serbi, diskutimeve për pazare me kufijtë dhe një takse që kishte bllokuar procesin e negociatave, ishte vënë në alarm kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila kundërshtonte prekjen e hartave të Ballkanit Perëndimor dhe synonte zhbllokimin e situatës. Për çështjen e prekjes së kufijve, Merkel dëshironte që ta kishte në krah edhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Merkel në koordinim me Francën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin organizuar një Samit që u mbajt në Berlin më 29 prill të vitit 2019.

Në këtë takim në Gjermani të drejtuar nga Merkel dhe Macron kishin marrë pjesë liderë të ndryshëm nga Ballkani Perëndimor përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Pas takimit, Haradinaj kishte mbetur i palëkundur sa i përket vendimit për taksë edhe përkundër presionit të Macronit dhe Merkelit dhe përplasjeve që kishte pasur brenda me Edi Ramën meqenëse ky i fundit ishte kujdesur t’i shtonte presionin për ta hequr taksën. Këto zhvillime në Berlin vazhdojnë të mbesin pika të përplasjes edhe sot e kësaj dite mes Ramës dhe Haradinajt.

Duke qenë se në Berlin nuk ishte arritur asgjë konkrete, Merkel dhe Macron ishin marrë vesh që të vazhdonin iniciativën dhe përpjekjen e tyre për zhbllokim të dialogut Prishtinë-Beograd. Kështu dy liderët kishin caktuar 1 korrikun si datë ku do të mblidheshin përsëri në Paris.

Zhvillimet e mëvonshme kishin bërë që Samiti i Francës të anulohej, duke qenë se Prishtina dhe Beogradi nuk lëviznin fare nga pozicionet e tyre. Haradinaj kërkonte njohjen e ndërsjellë nga Serbia si kundërpeshë për heqjen e taksës ndërkohë Vuçiq e Bërnabiq në dialog thoshin se ktheheshin sapo të hiqet taksa.

Gjatë gjithë kësaj periudhe të bllokimit të dialogut përpjekjet Thaçi-Vuçiq për korrigjim të kufijve ishin zbehur, madje ekspertë që njohin Ballkanin Perëndimor potenconin se një ide e tillë kishte vdekur në Samitin e Berlinit.

Duke e parë këtë ‘ngathtësi’ të Bashkimit Evropian për të rikthyer palët në tryezën e diskutimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin parë të nevojshme që të përshihen në proces direkt, duke qenë se deri në atë kohë Administrata e Trump ishte e zënë duke u marrë më Iranin e Korenë e Veriut.

Më 30 gusht të vitit 2019, Departamenti i Shtetit Amerikan kishte emëruar Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo lëvizje e Washingtonit mendohej se do të zhbllokonte situatën. Palmer pas emërimit  kishte vizituar Prishtinën dhe Beogradin dhe mendohej se dialogu potencialisht mund të riniste në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit. Megjithatë rezistenca e Haradinajt për të hequr taksën, e bënte të pamundur çfarëdo përpjekje për rikthimin e palëve në dialog.

Pas emërimit të Palmer në gusht, Presidenti i SHBA’së, Donald Trump, kishte shkuar edhe një hap më tej. Më 4 tetor të vitit 2019 kishte emëruar ambasadorin e SHBA’së në Berlin, Rirhcard Grenell, si Përfaqësues Special Presidencial enkas për dialogun Kosovë-Serbi.

Ky emërim po shihej si përkushtim i SHBA’së për rajonin dhe për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovë dhe Serbisë që do t’i jepte një stabilitet afatgjatë rajonit, ndërkohë disa analist e shihnin edhe si vendim të çuditshëm.

Pas emërimit, Grenell kishte udhëtuar menjëherë për në Prishtinë dhe Beograd. Më 9 tetor në Prishtinë i dërguar i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi ishte takuar me presidentin e Kosovë, Hashim Thaçin në Prishtinë.

Nga gjithë vizita e Grenell në Kosovë, nënkuptohej se SHBA’të po kërkonin arritjen e një marrëveshje të shpejtë. Muajt shkurt-mars të vitit 2020 përmendeshin si koha kur edhe do të përmbyllej përfundimisht çështja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në mes të përpjekjeve Palmer-Grenell për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjes së një marrëveshje finale mes dy shteteve ishin futur edhe dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson, të cilët qëndruan gjatë shtatorit në Kosovë.

“Kërkohet sakrificë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi”, ishte qëndrimi i përbashkët i tyre i thënë nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë përgjatë vizitës më 4 shtator 2019.

Ndërkohë përgjatë gjithë kësaj kohë sa dialogu ishte në bllokadë për shkak të taksës, ideja për lëvizje të kufijve ishte zbehur plotësisht, derisa edhe vetë Vuçiq e kishte pranuar në një konferencë për media se një përpjekje e tillë kishte vdekur.

Megjithatë zhvillimet politike në vend, dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale, mbetja e taksës në fuqi dhe zgjedhjet e reja kanë prishur të gjithë matematikat e perëndimorëve për rikthim të shpejtë në dialog dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale mes dy shteteve.

Tashmë Kosova gjendet në një periudhë të formimit të institucioneve të reja. Edhe përkundër faktit se gati kanë kaluar gati 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit, vendi vazhdon të jetë pa institucione. BE’ja tashmë me një shef të ri të diplomacisë, Josep Borell, pret qeverinë e re për të rinisur përpjekjet për rikthimin e palëve në dialog, meqenëse Albin Kurti i cili pritet të jetë edhe kryeministër i Kosovës në rast të një marrëveshje për koalicion me LDK’në ka paralajmëruar heqje të taksës dhe vendosje të reciprocitetit me Serbinë. Në rast të rinisjes së dialogut mbetet të shihet se cila do të jetë qasja e Borellit si kryenegociator dhe si do të bashkëpunojë me Gjermaninë, Francën dhe dy përfaqësuesit e SHBA’së drejt arritjes së një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

E derisa Kosova po bënë përpjekje për themelimin e institucioneve të reja, Ram-Vuçiq e Zaev i kanë hyrë një nisme të re të ashtuquajtur “Minishengen” që gjithashtu po kundërshtohet nga Prishtina zyrtare. Një nismë të tillë deklarativisht e kanë mbështetur edhe SHBA’të, megjithatë thonë se një projekt i tillë s’mund të realizohet pa Kosovën./GazetaExpress/