Granit Xhaka shpreh ngushëllime për vdekjen e Florijana Ismailit


Gazeta Express
2 Korrik 2019 20:29

Granit Xhaka i ka dërguar ngushëllime familjes dhe të afërmeve të Florijana Ismailit, futbollistes shqiptare të Zvicrës e cila u gjet sot e vdekur në thellësi të një liqeni italian.  

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare të Zvicrës, Florijana Ismailit, u gjet dhe u tërhoq sot nga Liqeni Como në Itali, dy ditë pasi 24-vjeçarja u raportua e zhdukur nga mikja e saj, shkruan Gazeta Express.

Trupi i futbollistes shqiptare të Zvicrës dhe Young Boys u gjet në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como në Itali. 24-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite duke mos u rishfaqur më.

Xhaka, një tjetër futbollist me origjinë shqiptare që e përfaqëson Kombëtaren e Zvicrës, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e bashkatdhetares së vet.

Postimi i Xhakës në Instagram

“Ngushëllime”, ka shkruar futbollisti i Arsenalit në mbishkrimin e një fotografije të Ismailit në llogarinë e vet zyrtare në Instagram.

Autoritetet pritet t’ia bëjnë një autopsi trupit të Florijanës para se ta dorëzojnë atë te familja Ismaili. Prindërit dhe vëllezërit e saj ndodhen ne Musso, qytetin ku ndodhi tragjedia, tash e disa ditë.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje. /Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart