Goran Rakiq merr pozitë në Qeverinë Hoti, Mitrovica e Veriut shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme - Gazeta Express
string(97) "goran-rakiq-merr-pozite-ne-qeverine-hoti-mitrovica-e-veriut-shkon-ne-zgjedhje-te-jashtezakonshme1"

Goran Rakiq merr pozitë në Qeverinë Hoti, Mitrovica e Veriut shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Gazeta Express

03/06/2020 14:03

Mitrovica e Veriut do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i kësaj komune, Goran Rakiq, është zgjedhur zv. kryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në Qeverinë Hoti. Për këtë çështje janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raporton Gazeta Express

Goran Rakiq, i cili është edhe kryetar i Mitrovicës së Veriut, është zgjedhur sot zv. kryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në qeverinë e re.

Lexo Edhe:

Si pasojë e kësaj, Mitrovica e Veriut do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Express se KQZ-ja do të fillojë organizimin e këtyre zgjedhjeve, sapo ato të shpallen.

“Si çdoherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore, për të organizuar zgjedhjet, kurdo që i kërkohet. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të fillojë me punën intensive për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të shpallen këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Rakiq është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme në maj të vitit të kaluar.

Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Megjithatë, pas dorëheqjes Rakiq kishte kandiduar përsëri për kryetar të Mitrovicës së Veriut, ku edhe kishte fituar zgjedhjet.

Fat të njëjtë si Mitrovica e Veriut kishte edhe Podujeva. Kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ishte zgjedhur më 3 shkurt të këtij viti, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë nuk janë mbajtur ende, për shkak të pandemisë COVID-19. /GazetaExpress/