Google dënohet nga BE-ja me 1.5 miliard euro për shkak të bllokimit të reklamave të rivalëve - Gazeta Express

Google dënohet nga BE-ja me 1.5 miliard euro për shkak të bllokimit të reklamave të rivalëve

Gazeta Express

20/03/2019 15:45

Gjiganti teknologjik “Google” është ndëshkuar me një gjobë prej 1.49 miliard eurosh nga Bashkimi Evropian për shkak të bllokimit të reklamave të rivalëve. Kjo është hera e tretë që kjo kompani dënohet nga BE-ja në dy vjetët e fundit.

Kjo kompani akuzohet për keqpërdorim të mbizotërimit në tregun e reklamave të internetit përmes kufizimit të palëve të treta në paraqitjen e reklamave nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Si reagim ndaj këtij vendimi, kompania “Google” i ndryshoi kontratat me palët e treta, duke iu dhënë më shumë hapësirë atyre për shfaqjen e reklamave të kompanive rivale të kërkimit.

Kompania “Google” fiton shuma të mëdha të parave përmes reklamave në internet. Kjo kompani i ka fituar 12.6 miliardë dollarë nga reklamat në vitin 2017, ndërsa 30.7 milionë dollarë në vitin 2018.

“Google e ka betonizuar mbizotërimin e saj në reklamat e kërkimit në internet dhe e ka mbrojtur veten nga trysnia e konkurrencës përmes zbatimit të ndalesave ndaj faqeve të palëve të treta. Kjo është në kundërshtim me rregullat e BE-së”, tha komisionerja Margrethe Vestager.

Vitin e kaluar, autoriteti i konkurrencës i Bashkimit Evropian e ndëshkoi këtë kompani me një gjobë rekorde prej 4.34 miliard eurosh për shkak të përdorimit të sistemit operativ “Android” për t’i bllokuar rivalët, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.