Goli i Van De Beek ndaj Tottenham e dërgon Ajaxin me një këmbë në finale të Champions


Gazeta Express
30 Prill 2019 23:01

Një gol i hershëm i Donny van de Beek në triumfin 1:0 ndaj Tottenhamit i ka dhënë Ajaxit një epërsi të konsiderueshme para ndeshjes së kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve, në përpjekje për ta arritur finalen e parë që prej vitit 1996.

Donny van de Beek shënoi golin e vetëm të Ajxit në fitoren 1:0 kundër Tottenhamit në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes tyre të martën në Tottenham Hotspur Stadium, raporton Gazeta Express.

Ajaxi bëri një pjesë të parë fantastike, duke e dominuar një skuadër plot mungesa të Mauricio Pochettinos në çdo departament në fushë.

Tottenham ishte pa pesë futbollistë, përfshirë sulmuesit kryesorë Harry Kane i lënduar, Son Heung-min i pezulluar dhe Serge Aurier, Erik Lamela dhe Harry Winks që së fundmi janë operuar.

Donny van de Beek shënoi golin e epërsisë pas një çereku lojë, pasi mori një pasim në zonë dhe reagoi me shpejtësi duke e çuar topin në cepin e djathtë të portës së Hugo Lloris.

Me gjithë rastet e shumta, vizitorët nga Amsterdami nuk ia dolën të shënonin më shumë në këtë pjesë lojë.

Tottenhami zhgënjeu plotësisht në 45 minutat e parë, duke mos qenë në gjendje ta regjistrojë qoftë edhe një goditje brenda kornizës së portës të Andre Onana.

Në fund të pjesës së parë, Jan Vertonghen,Toby Alderwiereld dhe Andre Onana u përplasën në luftë për ta fituar një top në zonë. Kjo përplasje e la të shtrirë në fushë dhe të gjakosur mbrojtësin holandez.

Derisa Onana dhe Alderwiereld e vazhduan takimin, Vertongen rrodhi gjak dhe volli në fushë, duke mos qenë në gjendje të vazhdojë.

Ai u zëvendësua nga Moussa Sissoko.

Gjërat ndryshuan dukshëm për të mirë për Tottenhamin në pjesën e dytë, pasi djelmoshat e Pochettinos reaguan në mënyrë të përkryer duke rinisur takimin me një dominim të qartë.

Përveç se e mori në dorë kontrollin e lojës, skuadra nikoqire krijoi shumë raste, por nuk bëri mjaftueshëm për të shënuar.

Ajaxi ka mundur të dilte nga ky takim me një epërsi më të theksuar por David Neres qe i pafat duke e qëlluar shtyllën pingule rreth dhjetë minuta para fundit.

Ndeshja e kthimit në Amsterdam zhvillohet të mërkurën e ardhshme. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart