Goditje me dru e prerje me thikë, shqiptari keqtrajton gruan se nuk zbatonte Kanunin


Gazeta Express
17 Prill 2019 8:27

Një 34-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi akuzohet për dhunë ndaj gruas. Sipas mediave italiane, 34-vjeçari me inicialet J.S., keqtrajtonte gruan e tij 26-vjeçare, gjithashtu shqiptare.

Ai ushtronte dhunë fizike dhe verbale ndaj të shoqes, me argumentin se ajo nuk i bindej. Mediat italiane shkruajnë se ai i kërkonte asaj që t’i përmbahej rregullave kanunore, ndërsa i kërkonte që të mos ulej në tavolinë me njerëzit e saj, ndërsa i kërkonte t’i dorëzonte edhe pagën mujore.

Dhuna që ai ushtronte ndaj të shoqes, sipas mediave italiane ishte brutale, ndërsa në një rast, thuhet se ai e ka goditur atë me një dru në fytyrë duke i thyer dhëmbët e përparmë. Kur gruaja, pas dhunës së vazhdueshme i kishte kërkuar atij divorcin, 34-vjeçari e kishte ulur në një karrige, duke i lidhur këmbët dhe duart, ndërsa në gojë i kishte futur një çorape në mënyrë që ajo mos bërtiste, e më pas i kishte prerë pëllëmbën e dorës me thikë, duke e kërcënuar të shkonte edhe më tej.

Ka qenë 26-vjeçarja ajo e cila e ka denoncuar dhunën e vazhdueshme të bashkëshortit në polici, e pas kësaj 34-vjeçari u dërgua në qeli, panorama.al.

Te fundit


Kthehu lart