Omar Artan, arbitri të cilit iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pavarësisht se ishte përfshirë në listën e FIFA-s të zyrtarëve për Kupën e Botës, ka lëshuar një deklaratë pasi lajmi u konfirmua zyrtarisht.
34-vjeçari, i cili ka gjykuar ndeshje në Kupën e Kombeve të Afrikës, pritej të bëhej somalezi i parë që do të arbitronte në fazën finale të Kupës së Botës, pasi ishte përzgjedhur si një nga përfaqësuesit e kontinentit nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF).
Artan publikoi një postim në faqen e tij në “Facebook” të premten e kaluar, ku falënderonte ambasadën e Somalisë për mbështetjen në sigurimin e një pasaporte diplomatike, e cila iu dha për të lehtësuar udhëtimin e tij pas vështirësive të mëhershme me vizën.
Ai udhëtoi nga Nairobi drejt Turqisë dhe më pas në Miami, por iu refuzua hyrja në SHBA dhe që atëherë është kthyer në Stamboll. FIFA konfirmoi për “SPORTbible” se Artan do ta humbasë turneun.
“FIFA mund të konfirmojë se zyrtari i ndeshjeve Omar Abdulkadir Artan nuk do të jetë në gjendje të stërvitet dhe të gjykojë në Kupën e Botës 2026 pasi iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara”, tha një zëdhënës i organit qeverisës të futbollit botëror.
“FIFA nuk është e përfshirë në proceset e emigracionit të vendit pritës, përfshirë shqyrtimin e vizave, dhe është informuar nga autoritetet se statusi i zotit Artan nuk do të ndryshohet për momentin. Në përputhje me ngjarjet e mëparshme të FIFA-s, qeveria e vendit pritës vendos përfundimisht se kujt i jepet viza dhe kujt i lejohet hyrja në vend”, thotë FIFA tutje.
Somalia është një nga vendet që ndodhet në listën e ndalimit të udhëtimeve të presidentit amerikan Donald Trump, por deri më tani nuk është dhënë ndonjë arsye specifike për kthimin e Artanit në vendin nga kishte ardhur.
Teksa reagimet vazhdojnë pas refuzimit të hyrjes së arbitrit në SHBA, Artan ka publikuar një deklaratë ku flet për situatën dhe Kupën e Botës.
“Pavarësisht rrethanave, jam në humor pozitiv dhe jam i fokusuar te sfidat e ardhshme në karrierën time si arbitër”, tha ai për “Reuters”.
“Dua të falënderoj FIFA-n dhe CAF-in për gjithë mbështetjen e tyre dhe premtoj se do të vazhdoj të ruaj nivelin tim si arbitër, ndërsa përqendrohem te e ardhmja.”
Artan shtoi: “Dua të falënderoj familjen e futbollit për mesazhet e tyre dhe t’u uroj kolegëve të mi shumë sukses gjatë Kupës së Botës. Pres me padurim t’u bashkohem sërish në garat e ardhshme”.
Ndërkohë, Andrew Giuliani, i cili drejton Task Forcën e Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, mbrojti vendimin, duke thënë se Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) kishte vepruar drejt.
Duke folur për “BBC”, Giuliani tha: “Edhe pse nuk mund të hyj në detaje mbi informacionet që çuan në këtë vendim, mund të them se ishte vendimi i duhur nga dogana dhe patrulla kufitare, dhe unë e mbështes atë vendim”.
Pas një kontrolli të cilësuar si “rutinë” në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, Artanit iu refuzua hyrja në SHBA.
Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) nuk dha një arsye specifike për refuzimin e hyrjes së tij.
Një zëdhënës i CBP-së deklaroi: “Më 6 qershor, një shtetas somalez mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Stambollit. Gjatë procedurave të kontrollit, udhëtari iu nënshtrua një inspektimi shtesë, pjesë rutinë e procesit të kontrollit të CBP-së kur oficerët duhet të verifikojnë informacionin ose të përcaktojnë pranueshmërinë.
“Pas inspektimit, udhëtari, i cili ishte arbitër për Kupën e Botës FIFA, u vlerësua si i papranueshëm për shkak të shqetësimeve të ngritura gjatë procesit të verifikimit dhe iu refuzua hyrja.
“Të gjithë udhëtarët që kërkojnë hyrje në Shtetet e Bashkuara, përfshirë sportistët, trajnerët dhe stafin, i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimit nga CBP. Vendimet për pranueshmërinë merren rast pas rasti, duke përdorur informacionet e disponueshme nga organet e zbatimit të ligjit, sigurisë kombëtare dhe emigracionit në momentin e kontrollit.
“Oficerët e CBP-së kanë autoritetin të marrin në pyetje udhëtarët, të kryejnë inspektime dhe të përcaktojnë pranueshmërinë në përputhje me ligjin amerikan”./GazetaExpress/