Gjyqi shtyhet më 19 shtator, flet Tahiri: Kjo prokurori gënjen, e vërteta do dalë shpejt


Gazeta Express
10 Shtator 2019 16:18

Pas një seance maratonë prej disa orësh, gjyqi ndaj ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri është shtyrë për më datën 19 shtator.

Në dalje të gjykatës së krimeve të rënda, Tahiri ka folur në lidhje me procesin duke hedhur akuza ndaj prokurorisë që sipas tij po kryen një gjyq të montuar dhe që nuk ka asnjë provë kundër tij.

Tahiri: Jo pa shkak nuk kam bërë mbrojtjen time në këto dy vite sepse kam dashur të respektoj drejtësinë deri në fund. Jo pa shkak dhashë dorëheqjen dhe kam hezituar ti përgjigjem të gjitha akuzave të gënjeshtra të shpërndara nga prokuroria nëpër media, duke mbajtur baltën në kurriz, por duke pasur shpresën se e vërteta do dali ën dritë. Ju dëgjuat në sallë argumentet e mia se sa gënjeshtra janë thënë.

Unë akuzohem që jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për trafikun e  drogë bashkë me disa policë që siç e patë dhe ju me prova as nuk kanë qenë në detyrë. Këta policë kanë denoncuar me emër dhe mbiemër Habilajt dhe ky procedim penal është nisur nga policët që kanë qenë në pronësinë time dhe që tani janë të proceduar bashkë me mua. janë gënjeshtra dhe sot u provuan që janë gënjeshtra me prova që nuk i kundërshton dot njeri.

E thotë edhe Prokuroria Italiane që është një gënjeshtër duke sjellë mijëra fletë prova, tani si t’ia bëj unë që Prokuroria italiane thotë janë gënjeshtra dhe kjo shqiptare thotë që ta hedhim njëherë në treg. e vërteta ime është fare e thjeshtë e provuar me letra e fakte sa askush nuk i del dot përballë. Si t’ia bëj unë që këta policët që akuzohen sot janë policë që kanë denoncuar që në 2016 Habilajt dhe këta janë pjesë e grupit? Kjo është kaq banale

-Kush po jua monton këte proces, na e thoni, se kur ju keni qenë Ministër i Brendshëm… po nuk e ditët ju se kush e ka bërë këtë montim, nuk besoj se e di dikush tjetër. Cfarë do bëni nëse dënoheni?

Tahiri: Nuk përgjigjem, e ke bërë pyetjen si për kafe. Unë bësoj aq shumë tek e vërteta ime. Besoj mjaftueshëm tek drejtësia që të mos mendoj atë që thoni (se do të dënohet).

“Të hetohet Edi Rama” Tahiri shpjegon deklaratën e bërë para gjyqtarëve

Në përfundim të seancës maratonë ku akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, Saimir Tahiri ka shpjeguar një deklaratë të tij në gjyq, ku fliste për hetimin e të gjithëve.

Fjala është për një përgjim të Habilajve, ku ata flasin për mënyrën sesi Tahiri shpenzonte mbi 5 mln euro për fushatën elektorale. Në lidhje me këtë përgjim të kapur nga prokuroria italiane, Tahiri ka argumentuar se këto deklarime të Habilajve janë bërë në kohën kur ai kishte rreth një muaj që kishte marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Ja si e shpjegon ish- Ministri i Brendshëm:

“Nëse ka një pretendim që harxhoja 20 mln euro në fushatë, që në atë kohë unë kisha një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, atëherë nëse e merr seriozisht ketë përgjim, thash që nuk duhet të kursente njeri pa hetuar… Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhojnë kaq para?

Por ata (prokuroria) e dinë që është një përgjim thashethem dhe ordiner… e përsëris, prokuroria ka pasur 2 vjet kohë ta hetonte për mua”, tha Tahiri.

Pas 9 ditësh vendoset fati i tij, Tahiri sulmon politikanët: Ka prej tyre që kanë vrarë dhe sot janë në krye të politikës

Pas 9 ditësh Gjykata e Krimeve të Rënda do të marrë një vendim për Saimir Tahirin, nëse ai do të dalë i lirë nga një gjyq që zgjatet prej 2 vitesh, apo nëse për 8 vitet e ardhshme do të jetë në një burg të Shqipërisë.

Përtej argumentave për gjyqin e tij, Tahiri u pyet nëse e sheh rikthimin në politikë, nëse gjykata i jep lirinë duke e shpallur të pafajshëm.

Ja si u përgjigj ish- Ministri i Brendshëm:

 “Kam pritur dy vjet. Do pres edhe datën 19 që gjykata të japë vendim. Unë do merrem me drejtësinë, kjo është betejë. Në këtë vend ka deputetë që kanë vrarë njerëz dhe nuk kanë shkuar as në Prokurori, kurse unë kam dhënë dorëheqje si deputet. Ata që i fshehën drejtësisë, sot janë në politikë. Mua më intereson drejtësia dhe liria. Unë dua të jem i lirë.

Praktika ka treguar se sot i ke në krye ata që kanë akuza për vrasje njerëzish dhe për vjedhje stratosferike. Unë nuk po mendoj për këtë, por për drejtësinë time”, tha Tahiri.

Tahiri: Radarët nuk fiken dot, prokuroria kishte 2 vite kohë ta hetonte këtë çështje

Pas përfundimit të seancës gjyësore maratonë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ritheksuar se në kohën kur shërbente si titullar, e kishte vënë në dijeni kolegen e tij asokohe, ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodhelin, se radarët nuk punonin. Në një dalje për mediat, Tahiri është shprehur se ka dhënë prova se nga pikapamja teknike radarët nuk fiken dot.

“Teknikisht radarët nuk fiken dot, nuk ka asnjë mundësi të fiken. Prokuroria kishte 2 vjet kohë të provonte nëse fikeshin, unë them se jo dhe kam dhënë prova. Sepse siguria në Republikën e Shqipërisë nuk është lënë në dorë të një tekniku”.

Në vijim, Tahiri është shprehur se pretendimet e ngritura nga Prokuroria janë absurde, pasi “Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në 2013, 2014, 2015. Ndërkohë që hetimet, dy hetimet kronkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habiljat kanë nisur në 2016. Si ka mundësi që Prokuroria mund të më akuzojë për sasi droge të kultivuara para se të merrja detyrën e ministrit.”/EXPRESS

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart