Gjykata, vendi i vetëm për Edi Ramën në Kosovë - Gazeta Express
string(46) "gjykata-vendi-i-vetem-per-edi-ramen-ne-kosovex"

Gjykata, vendi i vetëm për Edi Ramën në Kosovë

Gazeta Express

16/01/2020 18:30

Diçka e pazakontë ka ndodhur në raportet Kosovë-Shqipëri. Edi Rama ka paditur Ramush Haradinajn pas zënkave disamujore me deklarata. I akuzuar se është bërë pjesë e planeve për ndarjen e Kosovës dhe pasurisë së Trepçës, Rama po dëshiron ta pastrojë emrin e tij para Gjykatave në Prishtinë. Lajmi u publikua pikërisht kur në Kosovë po shënohej përvjetori i Masakrës së Reçakut. Në reagimet e shumta, kryeministrit të Shqipërisë iu përmend miqësia me Aleksandar Vuçiqin e Serbisë dhe qasja armiqësore ndaj vëllait kosovar. Ka kohë që Rama s’ka shkelur në Kosovë, e kur të vijë duket se destinacioni i vetëm i tij do të jetë Gjykata, ku do t’i duhet të japë prova kundër deklaratave të Haradinajt.

Gazeta Express /B.V./

Lexo Edhe:

Serinë e sulmeve dhe fyerjeve ndaj Ramush Haradinajt, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ashtu siç kishte deklaruar para disa muajsh, e ka konkretizuar me një padi të cilën e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Kjo padi ka ardhur pas deklarimeve të mëhershme të kryeministrit në detyrë, se Edi Rama, bashkë me Hashim Thaçin e Aleksandar Vuçiqin, kishin hartuar planin e ndarjes së Kosovës dhe grabitjes së 10 miliardë eurove.

Haradinaj, me t’u publikuar lajmi, ka thënë se Ramës do t’i përgjigjet në gjykatë, ndërsa Zyra e Haradinajt ende nuk ka pranuar ndonjë shkresë zyrtare lidhur me padinë. Lajmi ka bërë bujë për shkak se një rasti të tillë vështirë se mund t’i gjendet precedenti, ndërkohë zërat që kritikojnë Ramën pas një veprimi të tillë janë të shumtë.

Avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska, ka shpjeguar sot se si ligjërisht mund të zhvillohet e gjithë kjo. Ai ka thënë se Edi Ramës do t’i duhet ta vërtetojë vet para gjykatës se nuk është ‘tradhtar’.

“Kjo do të thotë se – po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht – Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është ‘tradhtar’, ka shkruar Pallaska.

Pa reaguar nuk kanë qëndruar as nga kampi i Haradinajt. Ish-deputeti Muharrem Nitaj ka thënë se bazuar në logjikën e padisë, Rama duhet të ngre edhe mijëra të tilla për të gjithë ata që kanë thënë se Rama është një prej ideatorëve të korrigjimit të kufijve e shkëmbimit të territoreve.

“Kjo ma kujton perlën e atij plakut: “S’pata gajle qe m’ranë ujqit ndër dele, por u merzita shumë pse qent’ e mi hanin mish bashkë me ta! Dhe meqë ra fjala, ky zotnia u dashka të ngre padi ndaj mijëra njerëzve, shqiptarë e të huaj, të cilët kanë thënë se pikërisht Edi Rama ishte njëri prej ideatorëve të shkëmbimit të territoreve!”, ka shkruar Nitaj.

Ka folur edhe kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, duke e quajtur padinë e Ramës një “perversitet të shëmtuar anti-kombëtar”.

Ndërkohë, në mediat serbe është bërë një “festë” e vërtetë – ato kanë raportuar me shumë pompozitet për padinë të cilën Rama ia ka bërë Ramush Haradinajt.

Por, kur kishte filluar fundi i raporteve Rama-Haradinaj?

Gjatë një takimi në Berlin në fundin e prillit të vitit 2019, presioni i Edi Ramës ndaj Haradinajt në sy të Emmanuel Macronit të Francës dhe Angela Merkelit të Gjermanisë për ta hequr taksën, kishte bërë që kryeministri në detyrë të shpërthente në ofendime banale ndaj Ramës.

Një presion të tillë, Haradinaj e kishte zbuluar në një intervistë për televizionin T7, ku kishte thënë se kryeministri i Shqipërisë i kishte bërë presion për ta hequr taksën, më shumë se sa Merkel dhe Macron, gjë që nuk i kishte pëlqyer fare Ramës.

Rama kishte mohuar deklarimet e Haradinajt atë kohë, dhe kishte thënë se në mënyrë jo të drejtë po bën publike pjesë të bisedave konfidenciale.

“Askush s’i ka bere Ramushit presion ne Berlin për te hequr taksen. Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç qe ta heqë taksen! Unë jo e jo. Përkundrazi”, kishte thënë Rama.

Kjo përplasje në Berlin kishte qenë vetëm fillimi. Në çdo studio televizive, të dy politikanët sa herë u jepej rasti shkëmbenin akuza dhe kundërakuza.

E, deklarimet për të cilat Rama ka ngritur padi, Haradinaj i kishte thënë në një intervistë për emisionin e gazetarit shqiptar, Artur Zheji.

Haradinaj pati thënë se ai, me anë vendosjes së taksës dhe ngrirjes së dialogut me Serbinë, kishte shpëtuar minierën e Trepçës nga ndarja, si një ndërmarrje me shumë fitim që ishte parashikuar t’i takonte serbëve në planin e ndarjes së kufijve, duke përmendur kështu emrat e Ramës, Thaçit e Vuçiqit.

“Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepça jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet ti gëzojë Kosova dhe jo Serbia”. Unë Ndalova grabitjen e këtyre 10 miliardë euro, që do të  realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë  në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera  e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, kishte thënë Haradinaj.

Pas këtyre deklarimeve të Haradinajt, Rama kishte paralajmëruar padi gjatë një interviste të dhënë për “Opinion”, pasi, sipas tij, deklarime të tilla janë gënjeshtra të Ramush Haradinajt.

Ndërkohë, përplasjet nuk ndaleshin. Ato u rikthyen përsëri pas lansimit të idesë së ashtuquajtur “Minishengen ballkanik”. Mohimi që një ide e tillë kishte marrë nga Prishtina zyrtare kishte zemëruar Edi Ramën, i cili nuk ngurronte që të drejtonte kritika dhe akuza në drejtim të Kosovës, duke e pasur Vuçiqin në krah.

Haradinajn e kishte cilësuar si gënjeshtar dhe të paditur, pasi kryeministri në detyrë kishte thënë se përmes idesë së “Minishengenit”, Edi Rama po tentonte që të hiqte taksën prej 100 për qind që Kosova kishte vendosur ndaj produkteve të Serbisë. Ndërkohë, vendimin e institucioneve të Kosovës për të mos marrë pjesë në takimet për projektin e “Minishengenit” e kishte quajtur si “vetizolim”. Kësaj here, Rama s’e kishte në anën e tij as Hashim Thaçin. /GazetaExpress/