Gjykata Supreme iu përgjigj Antikorrupsionit: Ne jemi të pavarur të vendosim për shkarkimin tonë


Gazeta Express
11 Korrik 2019 16:50

Një ditë pasi që Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), i ka paralajmëruar gjykatësit suprem në lidhje me diskutimin për shkarkimin e tyre, të njëjtit kanë reaguar nëpërmjet një kumtese, duke thënë se ata marrin vendime në mënyrë të pavarur.

“Në lidhje me njoftimin e Antikorrupsionit, e njoftojnë opinionin se Gjykata Supreme e Maqedonisë së veriut vepron në pajtueshmëri me dispozitat ligjore dhe kushtetuese. Gjykatësit e Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut në pajtueshmëri me Kushtetutën janë të pavarur për të marrë vendime dhe gjatë kryerjes së detyrave nga kompetencat e tyre përpara vlerësimit nëse ka pengesa ligjore që të veprohet në ndonjë lëndë konkrete. Pastaj, gjykatësit udhëhiqen nga bazat e parashikuara ligjore për përjashtim, veçmas dhe testin subjektiv, gjegjësisht nëse gjykatësi vlerëson se ekzistojnë rrethana që shkaktojnë dyshime në anshmërinë e tij”, thonë nga Gjykata Supreme.

Ata shtojnë se, sipas praktikës së deritanishme, gjykatësit që kanë vepruar në lëndë konkrete, gjithmonë janë përjashtuar nga procedurat në të cilat kanë ekzistuar arsye për përjashtim, veçmas edhe në procedura për lëndë që ka vendosur në seancë të përgjithshme.

Reagimi i Antikorrupsionit vjen pasi që dy avokatë nga Shkupi, kërkuan nga Gjykata Supreme që në seancë të përgjithshme të miratojë vendim sipas të cilit, gjykatësit që janë propozuar për shkarkim, në mesin e të cilëve është edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, të miratojë vendim më të lehtë.

Ndryshe, kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski është një nga gjyqtarët ndaj të cilëve ka procedurë për shkarkim, për procedurën e lirimit nga paraburgimi i biznesmenit të arratisur, Sead Koçan në maj 2017. Ai, në bazë të ligjeve, nuk do të guxojë të udhëheqë seancën me këtë pikë në rendin e ditës, ku është personalisht i prekur. Për çështjen Koçanit, ka procedura për shkarkim kundër Vangellovskit dhe dy gjyqtarëve tjerë po ashtu suprem, të cilët ishin pjesë e Këshillit Penal pesë anëtarësh, të cilët edhe pse s’ka pas asnjë bazë ligjore dhe qëndrim parimor nga Gjykata Supreme, megjithatë, kanë votuar për heqjen e paraburgimit për Koçanin.

Grupi tjetër përbëhet nga pesë gjyqtarë të tjerë, të propozuar për shkarkim për arratisjen e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkoskit, të pandehur në “Fortesa-Targeti”. Procedurë po zhvillohet edhe për dy gjyqtarë të tjerë të lartë, të cilët në Këshillin Gjyqësor i ka paraqitur Vangellovski.

Për asnjërin nga këta 9 gjyqtarë, procedurat nuk kanë përfunduar, ndërsa tani ata do të duhet të vendosin për ose kundër interesit të tyre, shkruan Portalb.

Te fundit


Kthehu lart