Gjykata në Maqedoni ka vendosur që Morina të mos ekstradohet, Pacolli thotë se ai është liruar


Gazeta Express
14 Gusht 2019 14:40

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shkruar se është i lumtur pas vendimit që gjykatat në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur për lirimin e Tomor Morinës, duke refuzuar edhe kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij. Vendimi i Gjykatës, megjithatë, nuk thotë se Morina nuk është liruar, por është vendosur vetëm që të mos ekstradohet, raporton Express.

“Jam i lumtur që gjykatat në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur për lirimin e Tomor Morinës dhe refuzimin e kërkesës serbe për ekstradim. Unë jam mirënjohës ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për vendimin parimor të marrë në lidhje me këtë çështje dhe bashkëpunimin që kemi pasur për ta zgjidhur atë në mënyrën më të mirë”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Sot ndërkaq, anëtarët e Këshillit të Gjykatës Supreme në Maqedoni vendosën se ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomorr Morina, nuk duhet të ekstradohet në Serbi.

“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë se Veriut njofton se më 14 gusht 2019 solli vendim për lëndën nr.30/2019 ku vërtetohet vendimi i Këshillit Penal i Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Penale Shkup KIOK-KS.nr 252/19 nga 07.08.2019, i cili vendosi se nuk përmbushen supozimet ligjore për ekstradimin e personit T.M, shtetas i Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Supremes.

Një mendim të tillë parimor-juridik më 7 gusht e dha edhe Gjykata Themelore e Shkupit, të cilët pasi e rishikuan dokumentacionin e plotë të kërkesës serbe për ekstradim, sollën vendim se nuk përmbushen kushtet për ekstradimin e Tomor Morinës.

Këtë vendim Themelorja e solli duke e vlerësuar, po ashtu, edhe praktikën e deritanishme gjyqësore dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Më 24 korrik policia e Maqedonisë së Veriut e arrestoi Morinën në pikë kalimin kufitar Bllacë. Arrestimi u bë pasi që me kërkesë të Serbisë, INTERPOL-i kishte lëshuar fletarrest për ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serbia e akuzon Morinën për krime ndaj civilëve në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart