Gjykata ktheu në punë në MPJ diplomatë të cilët u dëbuan për shkak të pranisë në Kuvend gjatë natës së dhunshme


Gazeta Express
22 Maj 2019 9:42

Dy diplomatë të punësuar në Ministrinë e punëve të jashtme me vendim të gjykatës janë kthyer në punë, pasi u dëbuan për shkak se kanë qenë të pranishëm në Kuvend gjatë sulmit të organizuar më 27 prill 2017.

Përveç se janë kthyer në vendet e tyre të punës në Ministri, atyre do t’u paguhen të gjitha pagat nga dita e dëbimit nga puna e deri më sot.

Siç sqarojnë Ministria e punëve të jashtme, pas ankesës së punonjësve përpara Gjykatës civile, gjykata ka marrë vendim që ata të kthehen në punë për shkak se vendimi për ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe vendimi i Agjencisë për administratë, e cila ka vendosur në shkallën e dytë të apelit, janë marrë pas skadimit të afatit brenda të cilit ka mund të parashtrohet propozimi për fillim të procedurës disiplinore.

“Të dy diplomatëve të punësuar do t’u paguhen rrogat dhe kontributet e papaguara. Procedura për diplomatin e tretë, për të cilin gjithashtu është marrë vendim për ndërprerjen të marrëdhënies së punës për shkak se ka qenë i pranishëm në Kuvend më 27 prill 2017, ende s’ka përfunduar”, thonë nga Ministria e punëve të jashtme.

Procedura disiplinore janë ngritur kundër tre diplomatëve në Ministri, në bazë të nenit 73 paragrafi 1 pika 22 dhe nenit 77 paragrafi 4 dhe nenit 78 paragrafi 3 nga Ligji për nëpunës administrativë, e në lidhje me nenin 74 paragrafi 2, pikat 3 dhe 5 të Ligjit për punë të jashtme dhe nenin 21 paragrafi 1 dhe 2 të Kodit të Etikës për punonjësit e Ministrisë së punëve të jashtme dhe personave tjerë të cilët kryejnë punë për Ministrinë e punëve të jashtme.

“Procedurat disiplinore janë ngritur për shkak se punonjësit kanë qenë të pranishëm në Kuvend, më 27 prill 2017, me çka, sipas mendimit të Ministrisë, kanë vepruar në kundërshtim me Kodin e Etikës duke e dëmtuar reputacionin e profesionit diplomat, reputacionin e Ministrisë dhe shtetit. Për këtë shkak atyre u është shqiptuar masa disiplinore – ndërprerja e marrëdhënies së punës”, thonë nga Ministria.

Ata shpjegojnë se procedura është ngritur pasi në shtator të vitit 2017 kishin marrë konfirmim, nga Ministria e punëve të brendshme, se këta persona kishin qenë në Kuvend më 27 prill 2017.

Te fundit


Kthehu lart