Gjuriq: Serbët e veriut të mos mërziten, do të gjejmë mënyra për t’ua çuar ato që u duhen


Gazeta Express
25 Qershor 2019 12:09

Serbia po vazhdon me propagandën e saj se kinse në veri të Mitrovicës qytetarët po kanë mungesë të artikujve. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një intervistë për televizionin Pink të Beogradit, ka thënë se shqiptarët gjatë ditëve të fundit kanë mbyllur kanalet e furnizimit me artikuj themelorë jetësorë nga Serbia qendrore

Gjuriq ka shtuar se Serbia do të gjejë mënyra për të dërguar mallra për popullin e saj në Kosovë, pasi, sipas tij, policia kufitare po rrëmben kamionë me mallra, ndërsa në Mitrovicë ka mungesë të këtyre mallrave.

“Prishtina këtë veprim të vetin e mbështet në Marrëveshjen e nënshkruar më 23 shkurt të vitit 2012, nga Borko Stefanoviqi, sipas të cilës është vendosur policia kufitare në pikëkalimet (kufitare) në Jarinje dhe Bërnjak. Kjo polici kufitare tani rrëmben kamionë e kombi me mallra, ndërsa në Mitrovicë ka mungesë mallrash. Ne do të gjejmë zgjidhje për të dërguar gjithë çfarë duhet për popullin tonë në Kosovë e Metohi, serbët s’kanë pse të mërziten”, është shprehur Gjuriq.

Ai ka thënë, po ashtu, se në bazë të Planit kornizë të presidentit, Serbia është duke i realizuar disa projekte, sipas tij, për t’i ndihmuar serbët në Kosovë.

“Serbia është duke realizuar 140 projekte për të ndihmuar serbët në Kosovë dhe se ka përfunduar njëri nga projektet strategjike – ujësjellësi rajonal për veriun e Kosovës, i cili do të lëshohet në punë më 28 qershor, për Vidovdan (që shënon Luftën e Kosovës të 1389 -v.j)”, ka thënë Gjuriq.

Gazeta “Politika” ka shkruar, po ashtu, për “krizën” në veri të vendit. Kjo gazetë pretendon se rreth 400 tregtarë privatë, pronarë të shitoreve me artikuj ushqimorë, po planifikojnë t’i mbyllin objektet e tyre, sepse raftet i kanë të zbrazëta, dhe tani e disa ditë nuk u vjen qumështi dhe prodhimet e qumështit, si dhe vaji, sheqeri dhe kripa.

Ndërkaq për gjendjen në veri të Mitrovicës ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Beogradi po planifikon tërheqjen e mallrave në mënyrë që të shkaktojë katastrofë humanitare. /Express

Te fundit


Kthehu lart