string(92) "gjuhe-e-ashper-mes-trussit-e-lavrovit-ne-moske-rusi-largohet-pa-e-pritur-homologen-britanike"

Lajme

Gazeta Express

10/02/2022 15:19

Gjuhë e ashpër mes Trussit e Lavrovit në Moskë, rusi largohet pa e pritur homologen britanike

Lajme

Gazeta Express

10/02/2022 15:19

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, dhanë deklarata të ftohta e të ashpra para gazetarëve në Moskë, ku kryediplomatja britanike po zhvillon vizitë zyrtare në përpjekje për t’i ulur tensionet rreth Ukrainës.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lexo Edhe:

Ministri rus e akuzoi homologen britanike se ka refuzuar që të dëgjojë. “Jam sinqerisht i dëshpëruar që ajo që kemi është një bisedë mes një memeci dhe një personi të shurdhër…Sqarimet tona më të hollësishme ranë në tokë të papërgatitur”, tha Lavrovi në konferencën e përbashkët për gazetarë me ministren britanike.

“Ata thonë se Rusia është duke pritur derisa toka të ngrihet si gur që tanket e saj të kalojnë lehtësisht në territorin ukrainas. Mendoj se toka ishte e tillë sot me kolegët tanë britanikë, nga e cila shumë fakte, që ne i prodhuam, u kthyen mbrapsht (si topi, kur e godet tokën)”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kryediplomatja britanike e sfidoi drejtpërdrejt homologun rus rreth pohimit të tij se Rusia nuk është duke kërcënuar askënd me grumbullimin e trupave dhe armatimit afër kufijve të Ukrainës, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

“Nuk mund të shoh asnjë arsye tjetër për të pasur 100.000 trupa të stacionuara në kufi, përpos që ta kërcënosh Ukrainën. Nëse Rusia është serioze për diplomacinë, ajo duhet t’i largojë ata trupa dhe të heqë dorë nga kërcënimet”, tha ajo.

“Askush nuk është duke e minuar sigurinë e Rusisë – kjo thjesht nuk është e vërtetë”, tha ministrja britanike, duke shtuar se është “gjë e duhur në mënyrë të përsosur” që Ukraina ta mbrojë veten dhe të kërkojë aleanca.

“Nëse do të kishte sulm rus në Ukrainë, ukrainasit do të luftojnë. Ky do të ishte një konflikt i zgjatur e i tejzgjatur. Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të vendosnin sanksione të ashpra që i kanë cak individët dhe institucionet. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se (gazsjellësi) Nord Stream 2 nuk do të ecte para”, tha më tej kryediplomatja britanike.

Në fund të konferencës për gazetarë në Moskë, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavorv, largohet në mënyrë të pasjellshme nga foltorja, pa e pritur homologen britanike, Liz Truss. (Pamje e marrë nga transmetimi i agjencisë “Reuters”)

Në anën tjetër, Lavrovi tha se Londra kurrë nuk ka paraqitur ndonjë fakt për t’i mbështetur akuzat e saj për rastin e helmimit fatal të ish-zyrtarit rus të sigurisë, Alexander Litvinenko, dhe tentim-vrasjen e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal si dhe për rastin e tentim-helmimit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, në vitin 2020.

Për ta parë momentin e largimit të Lavrovit nga foltorja, klikoni KËTU (minuta e fundit e videos)

Ai shtoi se ministrja britanike nuk e ka ndryshuar tonin gjatë tërë takimi 2-orësh dhe se i ka injoruar sqarimet e tij derisa i ka përsëritur deklaratat dhe kërkesat që Britania i ka bërë më parë.

Vizita e ministres Truss është pjesë e një vargu përpjekjesh të diplomacisë britanike në Rusi. Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, pritet ta vizitojë Moskën të premten, ku do të takohet me homologun rus, Sergei Shoigu.

Edhe zyrtarë të tjerë të lartë evropianë ditëve të fundit i kanë vizituar Rusinë e Ukrainën ditëve të fundit. Para pak ditëve, Rusinë e vizitoi Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritet të shkojë në Moskë javën e ardhshme./Gazeta Express