Gjuetia e Froneve të BE-së


Gazeta Express
29 Maj 2019 11:21

Zgjedhjet për Parlamentin Europian ishin një histori e gjatë dhe komplekse me një finale surprizuese dhe, për shumë, të pakëndshme. Megjithatë pa përjashtuar përfundimin e rrëmujshëm, një rend politik Europian i ri duket se po shfaqet – një i tillë që ka gjasa do të kapërcejë partitë tradicionale të së majtës dhe të djathtës.

Autor: Harold James

Zgjedhjet e Parlamentit Europian që u mbyllën më 26 maj rezultuan të ishin një përsëritje e Gjuetisë së Froneve – një histori e gjatë dhe komplekse me një finale surprizuese dhe, për shumë, të pakënaqshme. Dhe njësoj si me Gjueti Fronesh,. disa admirues po bëjnë thirrje për një përfundim të ndryshëm. Ata duket se po kërkojnë të shkarkojnë nga detyra autorin dhe të rishkruajnë skenarin.

Anti-Europianët, të cilët u dukën për një çast a thua se ata mund të drejtohen nba barinjtë populistë në triumvirat, – Matteo Salvini i Italisë, Viktor Orbán i Hungarisë dhe Steve Bannon, amerikani, – për një pushtim triumfalist të Brukselit, u mposhtën. Pro-Europianët që mbështesin partitë e vjetra të Bashkimit Europian humbën gjithashtu. Dhe politikanët që shpikën procesin Spitzenkandidaten në përpjekje për të ndikuar zgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm të Komisionit Europian u dukën qesharakë, ndërsa ato pjesë të partive të vjetra të BE-së u bënë copash. Shkurt, pritshmërinë konvencionale u zhgënjyen gjithkund.

Një pasojë e dukshme e zgjedhjeve ishte e qartë shumë përpara se të shpalleshin rezultatet: duopoli i vjetër i forcave të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë në politikën Europiane është përfundimisht i shkatërruar. Ky duopol ka qenë më i dukshëm në nivel kombëtar, ku partitë paksa konservatore dhe paksa socialiste në mënyrë tipike luftuan mbi tema të tilla si niveli i pensioneve, politika e pagave, përmasat e ndihmave shoqërore e çështje të ngjashme. Secila parti kishte nevojë për ta moderuar pozicionin e saj në mënyrë që të tërhiqte votuesin e mesit. Sistemet që pu prodhuan në politikat kombëtare ishin goxha të qëndrueshme, dhe disa shpresuan se i njëjti mekanizëm mund të përkthehej edhe në nivelin Europian.

Kjo dikotomi majtas-djathtas u thye në Itali që herët në vitet 1990. Ajo përfundoi në Francë së fundmi, me zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, në të cilat as kandidatët e të majtës së vjetër dhe as ata të së djathtës së vjetër nuk arritën në balotazh. Partia Gjermane Social Demokrate (SPD) ka dobësuar veten në mënyrë sistematike përmes pjesëmarrjes së saj (politikisht të përgjegjshme) në qeveri të koalicionit të madh me Bashkimin Kristian Demokrat. Dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Brexit ka shkatërruar Partinë Konservatore dhe ndoshta edhe Partinë Laburiste.

Në Greqi, partia në pushtet Syriza performoi dobët, dukshëm duke reflektuar mendimin e shumë votuesve se ajo është bërë gradualisht thjeshtë një parti tradicionale e qendrës së majtë. Me pak përjashtime të rëndësishme – për shembull Spanja dhe Austria – demokratët e stilit të vjetër patën performancë të keqe. Franca dhe Gjermania, dy vendet tradicionalisht në zemër të procesit Europian, janë dy shembujt më të shndritshëm. Socialistët e Francës morën 6% të votave, gjë që i hodhi ata në zonën e të parëndësishmëve, ndërsa SPD nuk duket më shumë bindëse sot për sot.

Humbjet e pësuara nga partitë tradicionale të qendrës së majtë reflektojnë realitetin e sotën të botës së hapur. Ndërsa Europa bëhet më e rëndësishme në skenën botërore, ajo do të duhet të bëjë më shumë se sa thjeshtë të rishpërndajë pasurinë: riprodhimi i thjeshtë i sistemeve të vjetra të mirëqenies në shkallë Europiane është recetë për konflikte të pafundme mes pjesëve të ndryshme të Bashkimit.

Rezultati më interesant i zgjedhjeve ishte dobësia relative e partive populiste dhe nacionaliste të krahut të djathtë. Ata, gjithashtu, përfshinë një dozë të madhe mbrojtjeje sociale në platformat e tyre. Për shembull, Marshimi Kombëtar i Marine Le Pen, (fasada e re e Frontit Nacional të vjetër), shkoi më tutje majtas në çështje sociale se sa lista “Rilindja” e Presidentit të Francës Emmanuel Macron, të cilën ajo e mposhti me rezultat në ngushtë.

Mbështetësit e partive populiste në mënyrë të saktë ndjenë se uellfarizmi i stilit të vjetër funksionin vetëm në mjediset ngushtësisht kombëtare. Por nuk kishte mjaftueshëm prej tyre për të mbështetur argumentin për një rikthim te Europa e shteteve kombe. Në fakt, rezultatet paraprake treguan se ndërsa Le Pen mposhti Macron, partia e saj mori një pjesë më të vogël të votave se sa në zgjedhjet e kaluara për Parlamentin Europian më 2014.

Një arsye për performancën relativisht të dobët të partive nacionaliste ishte lehtësia me të cilën diskutimi i pafytyrësisë, korrupsionit dhe mungesës së transparencës u përhap përtej kufijve kombëtarë. Skandali që vijon para-për-kontrata që përfshin nacionalistët e Austrisë (në mënyrë të çuditshme të emëruar Partia e Lirisë) ka gjasa që shkaktoi rënie të përqindjes së saj në votën popullore në krahasim me vitin 2014, ndërsa partitë e ngjashme gjetkë – për shembull, në Gjermani dhe Danimarkë, – patën gjithashtu rezultate më të dobëta nga sa pritej.

Këto në fakt ishin zgjedhjet e para për Parlament Europian që kishin tema qartazi Europiane. Partitë pro-Europiane të Gjelbra – me angazhimin e tyre për të mira publike (më së shumti siguri klimaterike) të cilat thjeshtë nuk mund të gjenerohen në një bazë kombëtare – patën rezultate të mira gjithkund. Në të njëjtën kohë, të Gjelbrit kanë trazuar një pjesë të madhe të ideologjisë që vijon të mishërohet te partitë e vjetra politike të të majtës dhe të djathtës konvencionale. Fitorja e tyre më e madhe ishte në Gjermani, ku ata përfunduan të dytët, lehtësisht duke mposhtur SPD-në; por ato patën rezultate të forta edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Fituesit e tjerë të mëdhenj ishin partitë liberale në aleancën e drejtuar nga karizmatiku

Guy Verhofstadt, i cili është i vendosur të bashkëpunojë me MAcron. Krahas të Gjelbërve, liberalët janë pothuajse të sigurt se do të jenë zëri më i fortë parlamentar që i jep formë udhëheqësisë dhe axhendës së Komisionit të ri.

Pavarësisht natyrës së fragmentarizuar të Parlamentit Europian të ri, duhet të jetë e lehtë të gjesh një shumicë për një axhendë që reflekton atë për të cilën kanë votuar shumica e shtetasve të BE-së. Një nga tiparet goditëse të trazirave politike të pas vitit 2016 si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara është se si ligjvënësit kombëtarë kanë theksuar autoritetin e vet kur janë përballur me një ekzekutiv disfunksional dhe të hallakatur. Parlamentarët Europianë duhet të ndjekin të njëjtën rrugë.

Për antipastë, ata duhet të nxjerrin leksionet e duhura nga skandalet populiste në Austri dhe gjithkund tjetër, dhe të bëjnë luftën kundër korrupsionit prioritet të lartë në nivel kombëtar dhe të BE-së. Përveç kësaj, parlamenti i ri duhet të ndihmojë për zhvillimin e një përqasjeje të koordinuar të BE-së ndaj sfidave botërore të sigurisë dhe furnizimit me energji, përballë presioneve nga SHBA dhe Rusia për të vendosur axhendën politike. Këto diskutime do të duhet të lidhen gjithashtu me debatin mbi korrupsionin dhe ndikimet e fshehta.

Gjuetia e Froneve mund të ketë mbaruar, por përleshjet e reja për pushtet në BE vetëm sa kanë filluar. Zgjedhjet e Parlamentit Europian kanë ndryshuar panoramën politike të kontinentit në një mënyrë shumë të rëndësishme, me partitë tradicionale të detyruara për t’u rigrupuar ose përndryshe përballen me rrezikun që të zëvendësohen. Se çfarë do të ndodhë më pas, ka gjasa do të jetë me shikim të detyruar.

/Project Syndicate

Te fundit


Kthehu lart