Gjithçka që duhet të dini për Gjibraltarin para ndeshjes kundër Kosovës


Gazeta Express
10 Tetor 2019 8:14

Kosova do ta presë  Gjibraltarin në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” sot në orën 18:00 për një ndeshje miqësore, që e paraprin atë kundër Malit të Zi në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Pas shtatë ndeshjeve radhazi duke u përballur me kundërshtarë që janë të radhitur më mirë sesa vetë në listën botërore të FIFA-s, Kosova sot e pret një skuadër më të dobët në letër, Gjibraltarin, shkruan Gazeta Express.

Kosova radhitet në pozitën e 119-të në listën e FIFA-s, Gjibraltari është plot 78 vende më poshtë, në pozitën e 197-të, dhe vjen në “Fadil Vokrri” me një ecuri prej tetë ndeshjesh të humbura radhazi.

Përderisa Bernard Challandes e arriti një ecuri mbresëlënëse si trajner i Kosovës duke i fituar 15 ndeshje radhazi, ndërsa duke e humbur vetëm atë të fundit kundër Anglisë, trajneri i Gjibraltarit ka një rekord plotësisht të kundërt.

Julio Ribas u emërua trajner i Gjibraltarit më 1 korrik të vitit 2018. Gjatë kësaj periudhë në postin e trajnerit, 62-vjeçari s’ka shijuar as fitore e as barazim, pasi që i ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet e zhvilluara.

Përderisa lojtari me vlerën më të ulët në skuadër e Kosovës, sipas Transfermarkt, është Samir Ujkani me 200 mijë euro – në skuadrën e Gjibraltarit lojtari më i vlefshëm cilësohet mesfushori i krahut të djathtë Liam Walker, i cili vlen 100 mijë euro.

Kosovës do t’i mungojë Arbër Zeneli, që e ndan pozitën e parë për golashënuesit më të mirë të Kosovës me Vedat Muriqit, “Dardanët” prapëseprapë do të kenë në fushë sulmues më të saktë para portës sesa golashënuesi më i mirë i mirë Gjibraltarit, Joseph Chipolina, që i ka regjistruar vetëm dy gola.

Vlera e plotë e skuadrës së Kosovës është 74.03 milionë euro, ndërsa mosha mesatare e lojtarëve, prej të cilëve 96 për qind luajnë jashtë Kosovës, është 24.9. Gjibraltari sërish radhitet më keq se Kosova, me skuadër në vlerë prej 275 mijë eurosh. Lojtarët e tyre, vetëm 8.7 për qind prej të cilëve luajnë jashtë vendit, kanë moshë mesatare prej 26.6 vjetësh.

Lajm i mirë për tifozët “Dardanë” mund të jetë edhe fakti se Gjibraltari ka pranuar numër të madh golash në ndeshjet e fundit – plot 15 në katër të fundit, përderisa Kosova njihet për futbollin sulmues. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart