Gjilani shton kapacitetin e ujit të pijshëm


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 16:41

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se së shpejti kësaj komune do t’i shtohet kapaciteti i ujit të pijshëm për 25 litra për sekondë, ndërsa ka apeluar te qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë ujin e pijshëm për ta përballuar gjendjen.

Haziri e bëri të ditur lajmin pas vizitës së punimeve në hapjen e tre puseve të reja në kazermën e Batalionit të Shpejtë të FSK, së bashku me drejtorin e kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi.

Ai tha se me mjetet e ndara prej 200.000 eurosh nga Komuna dhe Hidromorava, po bëhen hulumtime në lagjen Fidanishte, ku shpreson që shpimet e reja të sjellin rezultat për ta zbutur situatën emergjente të furnizimit me ujë të pijshëm, teksa apeloi edhe te qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë ujin e pijshëm. 

Ndërsa, drejtori i kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi, tha se beson që shumë shpejtë do të aktivizohen këto puse, ndërkaq nga java e ardhshme do të kalohet në Fidanishte për hapjen e puseve të reja.

“Aktualisht po furnizohemi prej katër burimeve, nga penda e Përlepnicës, “Guri i Hoxhës”, në burimin e ujit në fshatin Velekincë dhe te “Baja””, u shpreh ai. 

Te fundit


Kthehu lart