Gjilani ndan 200 mijë euro për hapjen e puseve për ujë të pijshëm


load
Gazeta Express
10 Tetor 2019 11:30

E ndodhur në një situatë emergjente në mungesë të ujit të pijshëm, komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale të Ujit Hidromorava, ka ndarë sot 200 mijë euro për hapjen e puseve të reja.

Kështu u bë e ditur në një komunikatë për media pas takimit te Task Forcës për Menaxhimin e Thatësisë, të udhëhequr nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në këtë njoftim thuhet se Haziri ka thënë se si pasojë e thatësisë, gjendja me furnizim të ujit të pijshëm vazhdon të jetë emergjente, derisa ka apeluar qytetarët që ta kursejnë ujin maksimalisht.

“Përndryshe, në mungesë të reshjeve mund të mbyllet përkohësisht furnizimi nga Penda e Përlepnicës shkaku i ndotjes”, ka thënë ai.

Drejtori i KRU Hidromorava, Muhamet Suliqi, tha se do të vazhdojë reduktimi i ujit, 14 orë në ditë, derisa pohoi se zgjidhja e përkohshme është hapja e puseve te kazerma e FSK-së dhe në lagjen Fidanishte.

Aktualisht, Gjilani po furnizohet nga Penda e Përlepnicës, nga burimi Guri Hoxhës, te Baja dhe në Velekincë.

Komuna e Gjilanit dhe Kompania Hidromorava kanë kërkuar nga Këshilli Ndërministror për Menaxhimin e Thatësisë që të ndërhyjnë me mjete financiare për të zbutur gjendjen e furnizimit të ujit të pijshëm.

Përndryshe, në kuadër të këtij projekti emergjent, Komuna e Gjilanit ka ndarë 140 mijë euro, ndërkaq KRU Hidromorava 60 mijë.

Te fundit


Kthehu lart