Gjilani e Llapi fitojnë me përmbysje, feston edhe Dukagjini


Gazeta Express
18 Tetor 2019 15:54

Gjilani dhe Llapi kanë fituar me përmbysje në duelet përkatëse të xhiros së 10-të të IPKO Superligës. Gjilanasit e mposhtën kampionin aktual, Feronikeli në udhëtim, 2:1, kurse llapjanët ishin më të mirë se Trepça ’89, 4:1. E Dukagjini e fitoi derbin e ekipeve të fundit në tabelë ndaj Vushtrrisë, 1:0

Tri ndeshjet e para të xhiros së 10-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, të cilat janë zhvilluar sot, kanë qenë mjaft interesante dhe dramatike, shkruan Gazeta Express.

Gjilani dhe Llapi kanë fituar me përmbysje në duelet përkatëse.

Gjilanasit e kanë mposhtur kampionin aktual, Feronikeli me rezultat 2:1 në Drenas.

Ekipi gjelbër e bardhë ka kaluar i pari në epërsi me golin e Da Silvas, të shënuar në minutën e 73-të.

Mirëpo, Gjilani është rikthyer furishëm duke shënuar dy gola të shpejtë: fillimisht rezultatin e barazoi Franc Veliu me kokë në minutën e 81-të.

Kurse, golin e trepikëshit për mysafirët e shënoi kapiteni Ylber Kastrati në minutën e 85-të.

Ndërkohë, Llapi e mundi Trepçën ’89 4:1.

Mitrovicasit kanë avancuar të parët me golin e Muharrem Jasharit, të shënuar qysh në minutën e parë.

Sidoqoftë, ekipi i Tahir Batatinës përmbysi gjithçka në pjesën e dytë.

Labinot Osmani e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 66-të.

Më pas, gol shënoi edhe Bunjamin Emini në minutën e 71-të për ta kaluar ekipin llapjan në epërsi.

E golin e tretë për vendësit e shënoi sulmuesi vushtrrias, Osmani në minutën e 76-të, për ta realizuar njëherësh golin e dytë personal.

Kurse, vulë këtij takimi i dha Muhamed Hyseni, me golin e shënuar në fund.

Ndërkohë, derbi i ekipeve të fundit në tabelë ndërmjet Dukagjinit dhe Vushtrrisë i ka takuar ekipit nga Rrafshi i Dukagjinit.

Klinasit kanë fituar me rezultat minimal, 1:0 falë golit të shënuar nga Altin Merlaku në minutën e 17-të të ndeshjes.

Të shtunën zhvillohet një ndeshje e të dielën dy të tjera.

Pa diskutim, përballja më e madhe e kësaj xhiroje është ajo në mes të Dritës dhe Ballkanit, e cila do të luhet të dielën. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart