Gjermania ndalet me barazim nga Serbia


Gazeta Express
20 Mars 2019 22:46

Gjermania nuk qe në gjendje t’i konkretizojë rastet e shumta dhe si pasojë u ndal me barazim 1:1 nga Serbia, në një ndeshje miqësore të mërkurën në Wolfsburg, në prag të fushatës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Leon Goretzka e shpëtoi skuadrën e Joachim Low nga humbja ndaj Serbisë me golin e shënuar 20 minuta para fundit, në ndeshjen e zhvilluar në Volkswagen Arena në Wolfsburg, raporton Gazeta Express.

Serbët e tronditen Gjermaninë duke kaluar në epërsi pas vetëm 12 minutave lojë, kur Luka Jovic shënoi me kokë nga afërsia pasi u la i vetëm.

Pas një pjesë të parë të dobët, Gjermani pati një paraqitje brilante në 45 minutat tjerë, duke e dominuar plotësisht Serbinë.

Goretzka e realizoi golin e barazimit në minutën e 70-të, duke e konkretizuar një aksion të bukur të gjermanëve.

Serbia nuk pati asnjë goditje në kornizën e portës së Marc-Andre ter Stegen në pjesën e dytë.

Gjermania do ta nisë fushatën e kualifikimeve për EURO 2020 me një ndeshje të vështirë ndaj Holandës në udhëtim të dielën.

Ndërsa, Serbia do të udhëtojë drejt Portugalisë për t’u ndeshur me Cristiano Ronaldon me bashkëlojtarë në ndeshjen e saj të parë eliminatore, që zhvillohet të hënën. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart