Gjermanët turpërojnë austriakët, Hahn nuk e thotë asnjë fjalë pse s’u ftuan në Berlin


Gazeta Express
26 Prill 2019 10:26

Komisioneri Johanes Hahn i cili bashkë me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherinin, dhe zyrtarë të lartë austriakë angazhoheshin për ndryshim të kufijve si pjesë e marrëveshjes Kosovë –Serbi duket se kanë mbetur të hutuar nga qasja e fundit e gjermanëve. Komisioneri Hahn i pyetur se pse Austria s’ka marrë ftesë nuk ka pasur çfarë të thotë.

Sipas tij, nisma të tilla ndërmerren nga vendet anëtare dhe shton se stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor është interes i gjithë BE-së.

“Nismat e tilla nisen vazhdimisht nga shtetet anëtare. Megjithatë integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është një prioritet politik për të gjithë BE-në, siç është konfirmuar njëzëri nga shtetet anëtare. Ky duhet të jetë edhe sinjal nga ky takim në Berlin. Zgjidhja për çështjen e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit do të arrihet vetëm nëse veprojmë me unitet dhe krijojmë një lidhje të besueshme me Ballkanin Perëndimor, për integrim drejt BE-së”, ka thënë Hahn në një intervistë për Agjencinë Gjermane të Shtypit.

Në media është raportuar se mosftesa për Austrinë ka ardhur si pasojë e qëndrimit të kancelarit austriak, Sebastian Kurz, pro korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket samitit të 29 prillit në Berlin, Johanes Hahn, thotë se ai takim në kryeqytetin gjerman duhet të ketë qëllim kryesor zhbllokimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hahn ndër të tjera ka folur edhe për marrëveshjen finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që, sipas tij, duhet të burojë nga të dy shtetet dhe jo të imponohet nga jashtë.

“Qëllimi kryesor i këtij takimi duhet të jetë zgjidhja e bllokadës së dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Prandaj e mirëpres iniciativën e Parisit dhe Berlinit. Megjithatë është e qartë se një zgjidhje e qëndrueshme duhet të vijë nga të dy vendet në fjalë, të cilët në fund duhet të zbatojnë një marrëveshje të mundshme. Një zgjidhje e imponuar nuk mund të funksionojnë”, ka thënë Hahn, transmeton Gazeta Express.

Të hënën më 29 prill në Berlin do të udhëtojnë liderët e Kosovës dhe Serbisë me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit të Francës, Emanuel Makron.

Në këtë takim do të diskutohet në mënyrë të veçantë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë mediat ndërkombëtare thonë që në Berlin do të varroset edhe ideja për korrigjim të kufijve./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart