Gjenerali Wesley Clark nderohet me “Urdhrin e Lirisë”


Gazeta Express
12 Qershor 2019 10:56

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar sot ish-gjeneralin e forcave të NATO-s, Wesley Clark, me titullin “Urdhri i Lirisë”.

Më herët presidenti kishte dekoruar edhe zonjën Madeleine Albright me këtë titull.

Titulli u është dhënë për meritën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndaljen e gjenocidit mbi popullsinë shqiptare nga forcat paramilitare serbe.

Presidenti Thaçi shpjegoi arsyen e ndarjes së këtij çmimi për gjeneralin Wesley Clark.

“Për të njohur kontributin e jashtëzakonshëm të heroit tonë gjeneralit Clark. Prandaj këtë mirënjohje e bëjmë me përulësi për punën e juaj të jashtëzakonshme dhe për lidershipin e jashtëzakonshëm”.

Wesley Clark në këtë ceremoni kishte ardhur së bashku me gruan dhe dy djemtë e tij.

Ai shprehu falënderimet nga ana e tij dhe familjes së tij për çmimin e ndarë për të.

“Është një eksperiencë e jashtëzakonshme që të kthehem 20 vjet më pas, pas atyre kohëve të turbullta. Shumë tragjedi ka përjetuar ky vend”, ka thënë Clark.

Ai shtoi se Kosovën e pret një e ardhme e ndritur në rrugën e saj drejt integrimeve perëndimore.

“Populli i Kosovës ka guximin të marrë vendimet e duhura. Perëndimi do mirëpresë Kosovën. Perëndimi do vazhdojë të investojë në këtë vend siç ka bërë tash e një kohë”.

“Shpresoj që të anëtarësoheni në NATO. Dhe shpresoj që kjo kohë të vijë sa më shpejt. Unë do kthehem përsëri atëherë”, shtoi udhëheqësi i forcave të NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë.

“Ju jeni një nga ne zotëri president”, tha në fund Clark. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart