Autoritetet në Korenë Jugore kanë raportuar për 219 raste të reja të koronavirusit brenda pak orëve. Ky numër i shtohet shifrës prej 594 personave të infektuar më parë gjatë ditës, duke e çuar në 813 numrin e përgjithshëm të infektimeve vetëm të shtunën.
Organet shtetërore bënë thirrje që njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre gjatë fundjavës në mënyrë që të pakësohet rreziku për përhapje të koronavirusit.
Ndryshe, shtatë persona kanë vdekur nga virusi i ri në këtë shtet deri më tani.
Shumica e rasteve të reja të koronavirusit Covid-19 u konfirmuan në qytetin Daegu, që shtrihet në pjesën juglindore të vendit dhe që ka qenë epiqendër e virusit.
Në mbarë botën, deri tash janë infektuar më shumë se 83 mijë persona, shumica në Kinë, ku 2791 njerëz kanë vdekur, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Rastet e para të koronavirusit së fundi u konfirmuan edhe në Bjellorusi, Lituani, Holandë, Zelandë të Re dhe Nigeri. Shumë shtete kanë vendosur masa të rrepta të kontrollit dhe kufizime të konsiderueshme në sektorin e udhëtimeve.
Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, tha se frika dhe keqinformimi janë dy ndër sfidat më të mëdha që po ndikojnë për të keq në luftën kundër koronavirusit.