Gjashtë arsye pse Manchester Unitedi mund ta rrezikojë Barcelonën


Gazeta Express
16 Mars 2019 17:32

Barcelona do të përballet përsëri në Ligën e Kampionëve me një klub kundër të cilit ka kujtime të bukura.

“Blaugranët” e fituan titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 2009, duke e mposhtur Manchester Unitedin në finale me rezultat 2:0. Këtë sukses e përsëritën edhe dy vite më vonë, kur “Djajtë e kuq” pësuan edhe një tjetër disfatë në finale, këtë herë me rezultat 3:1, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Camp Nou është një vend i kujtimeve të mirë edhe për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, i cili e kishte fituar titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 1999 në këtë stadium. Norvegjezi e kishte shënuar golin e fitores në minutën e 93-të, vetëm dy minuta pasi bashkëlojtari i tij Teddy Sheringham e kishte barazuar rezultatin ndaj Bayernit.

Tani, ai do të kthehet në Camp Nou edhe një herë, por tani në karrigen e trajnerit të Manchester Unitedit dhe do të kërkojë ta eliminojë Barcelonën me skuadrën e ringjallur të “Djajve të kuq”.

Këto janë arsyet kryesore pse Manchester Unitedi mund ta rrezikojë Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve:

Fuqia në ajër

Nëse Manchester Unitedi e ka epërsinë e kësaj ndeshjeve në ndonjë aspekt, ajo është gjatësia e futbollistëve të skuadrës.

Chris Smalling dhe Nemanja Matic janë 1.94 metra të gjatë, Scott McTominay 1.93, Paul Pogba 1.91, Romelu Lukaku 1.90, David De Gea 1.89, Victor Lindelof dhe Eric Bailly 1.87, ndërsa Marcus Rashford 1.85.

Superioriteti i tyre nuk është duke u përkthyer në gola dhe për çudi, ata i kanë shënuar vetëm pesë gola me kokë këtë sezon.

Megjithatë, ky është një aspekt në të cilin ata mund ta rrezikojnë skuadrën e Barcelonës.

Ata ndihen të pamposhtshëm

Fitorja në Parc des Princes, me dhjetë lojtarë të lënduar dhe pas disfatës me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë, ka qenë jashtëzakonisht e mirë për vetëbesimin e lojtarëve të klubit anglez.

Që nga ardhja e Ole Gunnar Solskjaer, lojtari janë ndierë pothuajse të pamposhtshëm dhe statistikat e reflektojnë këtë gjë. Në 18 ndeshje të zhvilluara, norvegjezi i ka 14 fitore, dy barazime dhe dy disfata.

Për më tepër, gjatë kësaj periudhe, Manchester Unitedi është përballur me shumë sfida, në të cilat ka dështuar vetëm kundër Arsenalit dhe Paris Saint-Germainit. Gjatë kësaj kohë, “Djajtë e kuq” e kanë mposhtur Chelsea dhe Tottenahmin si mysafir, si dhe kanë barazuar kundër Liverpoolit.

I jashtëzakonshmi Pogba

Pogba është shembulli më i mirë që e paraqet rritjen individuale të lojtarëve pas ardhjes së Solskjaer.

Me Mourinhon, ai luajti në 20 ndeshje, ku i shënoi pesë gola dhe i asistoi katër të tjera.

Nën norvegjezin, ai tanimë i ka tetë gola dhe gjashtë asiste në vetëm 14 ndeshje, pasi që Ander Herrera dhe Nemanja Matic po i japin atij më shumë liri për t’u përfshirë në sulm.

Një numër 9 apo një numër 9 të rremë

Kjo është pyetja e madhe që Solskjaer duhet t’i përgjigje para kësaj ndeshjeje. A duhet ai të vazhdojë me një lojtar që e luan rolin e numrit 9 të rremë, si Jesse Lingard, apo të vazhdojë me qendërsulmues tipik, si Romelu Lukaku?

Sapo erdhi, ai e vendosi besimin te Rashford, Lingard dhe Martial për fazën e sulmit, megjithatë Lukaku e ka shfrytëzuar rastin që e ka pasur gjatë kohëve të fundit për shkak të lëndimeve të shumta të lojtarëve të tjerë.

Sulmuesi belg i ka shënuar gjashtë gola në katër ndeshjet e fundit, të cilat e bëjnë shumë të vështirë zgjedhjen për Solskjaerin për ndeshjet e radhës.

Kundërsulmet vdekjeprurëse

Barcelona do ta nisë lojën me më shumë besim, përderisa Manchester Unitedi do të presë edhe për gabimet më të vogla për t’i nisur kundërsulmet për ta rrezikuar portën e katalonase.

Ata i shfrytëzuan tri gabimet e PSG-së për t’i shënuar tri gola nga vetëm katër goditje drejt portës.

Sa i përket shpejtësisë në kundërsulme, ata kanë specialistë, si Lingard, Rashford, Martial, Lukaku dhe Pogba.

Siguria në portë

David De Gea është njëri ndër portierët më të mirë në Premierligë dhe në botë. Ai e ka mbajtur portën e tij të paprekur për 100 ndeshje të Premierligës dhe e ka fituar katër herë çmimin për lojtarin më të mirë në Manchester.

Ish-portieri i Atletico Madridit shpeshherë ia siguron fitoren Manchester Unitedit dhe ai i bëri plot 11 pritje në fitoren kundër Tottenhamit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart