Giroud: Jam shumë i irrituar në Chelsea


Gazeta Express
18 Prill 2019 8:45

Olivier Giroud ka bërë të ditur se po ndihet shumë i irrituar me faktin që është vetëm opsion i dytë për pozitën e sulmuesit në skuadrën e Chelseat. Ai ka kërkuar një rol më të rëndësishëm për ta vazhduar karrierën në Stamford Bridge.

U transferua nga Chelsea në Arsenal në janar të vitit 2017, mirëpo, që nga atëherë, Olivier Giroud i ka bërë vetëm 13 paraqitje si titullar në ndeshjet e Chelseat në Premierligë, transmeton Gazeta Express.

Ai fillimisht e gjeti vetin opsion të dytë pas Alvaro Moratas. Kur spanjolli u largua nga Chelsea këtë vit, Gonzalo Higuain erdhi në vend të tij dhe Giroud mbeti edhe një herë në bankën rezervë, përkundër që argjentinasi nuk ka qenë mbresëlënës në paraqitjet e tij.

Giroud ishte pjesë e ekipit të Francës që e kishte fituar Kupën e Botës 2018 dhe ai beson se meriton ta ketë një rol më të rëndësishëm në skuadrën e Chelseat. Këtë gjë ai e bëri të ditur para ndeshjes kundër Slavia Prague, në kuadër të çerekfinaleve të Europa League, që zhvillohet sonte.

“Më besoni, jam shumë i irrituar sa herë që nuk jam në fushë, por nuk dua ta shfaq këtë gjë. Duhet ta mbash brenda atë ndjenjë dhe ta transformosh në energji pozitive. Më besoni, nuk jam i kënaqur që jam opsion i dytë”, ka thënë Giroud.

“Vitin tjetër, unë duhet ta kem një rol më të rëndësishëm. Gjëja më e rëndësishme për mua është që të jem i lumtur në fushë, ta shijoj lojën dhe të luaj për sa më shumë minuta”.

“Unë kam shpirt garuesi. Me të vërtetë dua të luaj më shumë. Unë dua vetëm ta shijoj këtë sepse jam 32-vjeçar dhe e kam fituar Kupën e Botës, por vetëm dua të pensionohem i kënaqur”.

“Unë duhet të takohem me Marinan [Granovskaia, drejtore e klubit], por natyrisht që mund të jem këtu sezonin tjetër. Nuk e di, tani për tani nuk kam asnjë ide, por dua që gjithçka të qartësohet para se të përfundojë sezoni.

“Natyrisht ne nuk dimë nëse klubi e ka mundësinë të transferojë lojtarë të rinj apo jo. Gjithçka është pak konfuze për momentin. Ata nuk kanë arsye për të mos më mbajtur edhe për një vit, por edhe unë dua të jem i lumtur”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart