Gërxhaliu për ardhjen e Volkswagen-it në Kosovë: Nuk jemi të përgatitur


Gazeta Express
16 Prill 2019 18:52

Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, është treguar skeptik lidhur me mundësinë e ardhjes së gjigantit gjerman të automjeteve Volkswagen në Kosovë.

Ai në Info Magazine përmendi tre parametrat kryesor që duhet të ofrojë një shtet për investitorët e huaj, stabilitetin politik, sundimin e rendit dhe të ligjit dhe parashikueshmërinë, që sipas tij janë problematike në Kosovë.

“Mjaftojnë këto tre parametra të analizohen dhe të shohim sa jemi afër dhe larg kësaj oferte të Volkswagen. Janë pikat më të dobëta dhe jo që vetëm e dëmtojnë imazhin para investitorëve e huaj mirëpo paraqet problem edhe për qëndrimin e bizneseve tona në vend”.

“Do të ishte një ëndërr e realizuar po ta kishim Volkswagen këtu por është dashur të përgatitemi shumë më herët dhe vërtet nuk jemi të përgatitur”.
Gërxhaliu theksoi se Kosova ka ngecje në diplomacinë ekonomike, madje i quajti zhgënjyese raportet ekonomike me Gjermaninë, përderisa tha se nëse vazhdon ky trend rrezikojmë largimin edhe të bizneseve ekzistuese nga Kosova.

“E kuptoj entuziazmin dhe vullnetin e të gjithëve për të bërë për Kosovën, por nuk mund të arrihen vetëm me dëshirë. Së pari mungon komunikim i mirëfilltë ndërinstitucional. Pastaj, s’mund të presim mbështetje nëse paradite e shanë Evropën dhe pasdite kërkon ndihmë nga ajo. Në këtë situatë politike të ndërmerret diçka e tillë dhe të shpresohet se një kompani si Volkswagen mund të vijë në Kosovë është vërtet e guximshme dhe e respektoj”.

“Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit. Derisa nuk kemi sundim te ligjit, nuk eliminohet burokracia dhe nuk ka stabilitet politik nuk mund të presim investitorë të huaj”.

Ish kryetari i Odës Ekonomike vuri në pah edhe nevojën e një koordinimi më të mirë të arsimimit dhe nevojave të tregut të punës.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart