Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e ka ndjerë të nevojshme të lëshojë një komunikatë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, për të treguar se si gazetarët duhet të “punojnë me integritet për ta mbajtur të saktë dhe të ndershme hapësirën tonë publike”.
Haxhiu, siç njoftoi Presidentja, foli për rastet ku “lajmi ngatërrohet me manipulim” dhe kur “qytetari e humb orientimin”.
“Epoka jonë karakterizohet me ritëm të shpejtë informimi, ndaj sfidat për ta dalluar faktin nga interpretimi janë gjithnjë e më të mëdha. Roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve sepse kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, për fakte, për verifikim dhe përgjegjësi, duke shtuar më tej se këto janë vlera që e forcojnë besimin dhe e mbajnë të shëndetshme demokracinë e vendit.
“Ajo ka falënderuar të gjithë punonjësit e mediave që verifikojnë faktet, transmetojnë lajmet dhe i shërbejnë publikut me ndershmëri!”, njofton Presidenca.
“Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe për Republikën”, ka thënë U.D. Presidentja.
Kosova këtë vit shënoi përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të – 15 vende më mirë sesa vitin e kaluar.
Vitin e kaluar vendi kishte shënuar regresin më të madh në indeksin e lirisë së mediave të organizatës Reporterët pa Kufij duke u radhitur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Sipas raportit për vitin 2026 të Reporterëve pa Kufij, edhe pse mediat arritën të mbanin përgjegjës politikanët, gazetarët “vazhdojnë të jenë subjekt i sulmeve politike”.
“Ata pa të drejtë akuzohen për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare”, thuhet ndër tjerash në raportin e sivjetmë.