Gazeta Express zgjerohet edhe në Maqedoninë e Veriut, hap zyra në kryeqytet


load
Gazeta Express
8 Nëntor 2019 21:40

Gazeta Express përveç se në Kosovë dhe në Shqipëri, është zgjeruar edhe në Maqedoninë e Veriut. Sonte është organizuar një koktej me rastin e hapjes solemne të zyrave të Express-it në Shkup, ku morën pjesë funksionarë, politikan nga të gjitha partitë shqiptare dhe maqedonase si dhe aktorë e biznesmenë të njohur nga Maqedonia e Veriut.

Themeluesi i Gazetës Express Berat Buzhala, gjatë fjalimit të tij drejtuar të pranishmëve, tha se të gjitha partitë politike dhe aktorët politik në Maqedoninë e Veriut do të trajtohen njëjtë dhe do të kenë hapësirë të barabartë për të shprehur qëndrimet e tyre.

“Gazeta Express ka mundësi që nuk është gazeta më e dashur shqiptare por është gazeta më e lexueshme shqiptare, do ta bëjmë një desk të mirë këtu me gazetarë profesional, do ta hapim edhe një studio për debate, Pressing-u dhe T7 e shikoni online, por tani do ta kemi mundësinë ta kemi edhe këtu në studio që të raportojmë dhe debatojmë edhe për zgjedhjet e juaja. Çdo kush do e ketë mundësinë me u shpreh dhe të merret në pyetje ashtu siç e meriton, edhe Qeveria edhe opozita. Ne do të jemi këtu për një kohë të gjatë”, tha Berat Buzhala.

Buzhala madje ka theksuar se liria e mediave në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë po përmirësohet krahasuar me shtet fqinje.

“Gazetaria në Kosovë dhe në Maqedoni, pavarësisht se sipas të gjitha standardeve është më e mirë se sa në vendet tjera fqinje, edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, sidomos në Maqedoni pas ndryshimeve të fundit që kanë ndodhur por edhe në Kosovë, ka liri të mediave. Nuk është sikurse në Norvegji dhe në Suedi por definitivisht është më mirë se në Serbi, më mirë se në Mal të Zi dhe më e mirë se në Shqipëri ku mediat kontrollohen plotësisht nga pushteti” shtoi themeluesi i Express-it Berat Buzhala.

Kryeredaktori i Gazetës Express dhe i Televizionit 7, Leonard Kerquki përmes një statusi në faqen e tij të Facebook-ut ka shkruar se përveç hapjes së zyrave të Express-it në Shkup, para dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, do të zhvendoset në Maqedoni edhe emisioni i tij “Pressing”, i cili gjatë zgjedhjeve në Kosovë theu gjitha rekordet e shikueshmërisë online.

“Gazeta Express hapi sot zyrtarisht Zyrën e saj në Shkup. Shumë shpejt këtu do të ndërtohet edhe një studio televizive” ka paralajmëruar Kerquki.

Përndryshe, sipas Alexa Ranking, Gazeta Express është portali shqiptar më i lexueshëm në Maqedoninë e Veriut.

Te fundit


Kthehu lart