Gazeta amerikane: Biden duhet të zgjedhë mes pragmatistit Hoxhaj dhe populistit Kurti - Gazeta Express
string(84) "gazeta-amerikane-biden-duhet-te-zgjedhe-mes-pragmatistit-hoxhaj-dhe-populistit-kurti"

Zgjedhjet 2021

Gazeta Express

11/02/2021 18:14

Gazeta amerikane: Biden duhet të zgjedhë mes pragmatistit Hoxhaj dhe populistit Kurti

Zgjedhjet 2021

Gazeta Express

11/02/2021 18:14

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i kërkoi Serbisë ta njohë Kosovën në një letër që ia dërgoi presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ne mbesim të përkushtuar në mbështetjen e synimeve të Serbisë për integrim evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni t’i ndërmerrni hapat sado të vështirë për arritjen e këtij qëllimi – duke e përfshirë realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Kosovën, që në fokus ka njohjen e ndërsjellë”, shkroi Biden në letrën dërguar Vuçiqit.

Me afrimin e zgjedhjeve në Kosovë, të gjithë sytë janë drejtuar kah kandidatët kosovarë. Albin Kurti, lideri i partisë më të madhe politike në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, pritet të marrë numrin më të madh të votave. Sidoqoftë, Albin Kurti shpesh është përplasur me Washingtonin në të kaluarën e afërt, madje duke shkuar aq larg sa për ta akuzuar të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për organizimin e “puçit në parlament”. Kjo ka çuar në një vendim të paprecedent ku SHBA kishte ngrirë 50 milionë dollarë asistencë zhvillimore për Kosovën, duke eskaluar edhe më shumë sa që i dërguari i posaçëm i SHBA-së tha se “SHBA duhet ta rimendojë prezencën atje”. Rreth 400 trupa paqeruajtës janë të stacionuar në këtë shtet.

Vendimi i Albin Kurtit për t’u përplasur me të dërguarin special të SHBA-së u pa nga disa vëzhgues të huaj si një ndryshim negative në marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosova, një nga vendet më pro-amerikane në planet, asnjëherë në historinë e saj të shkurtër të ekzistencës, nuk ka dalë kundër aleatit të saj më të rëndësishëm.

“Ajo që i duhet [Donald Trumpit] është një marrëveshje e shpejtë për të treguar që mund t’i zgjidhë krizat nëpër botë, ndoshta për dallim me Klintonin, Bushin dhe Obaman, pa ndërhyrje ushtarake, dhe më pas kjo të paraqitet si një sukses në këtë vit elektoral ”, tha Kurti.

Mediat dhe analistët shpejt fajësuan ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump për krejt situatën, duke përmendur nevojën për një fitore me ndikim në rajon për administratën e tij. Por disa i panë vërejtjet e paprecedentë të Kurtit si një shenjë e diçkaje shumë më të keqe. Nëse në rrugën e tij për në pushtet, Albin Kurti është i gatshëm të dalë edhe kundër aleatit e tij më të rëndësishëm, atëherë çfarë duhet të presim prej tij në të ardhmen nëse arrin të marrë shumicën e plotë?

Donald Trump nuk është më. Përurimi i Presidentit Biden u pa nga shumica e analistëve kosovarë si fitore për Albin Kurtin, i cili mbështeti kandidimin e Biden para zgjedhjeve në SHBA. Por qëndrimi i ashpër populist i Kurtit nuk i rri mirë administratës së Bidenit. Në fakt, qëndrimi politik i presidentit Biden është në anën e kundërt sa i përket aspektit politik, meqë ai sapo fitoi një palë zgjedhje kundër një populisti. Partia Demokratike [Amerikane] ka akuzuar ish-administratën amerikane se po kandidon në një platformë populiste. Është e vështirë të imagjinohet se Biden do të dëshirojë një populist si udhëheqës në Kosovë, veçanërisht në vitin e tij të parë si president. Atij nuk i duhet një provokator në Ballkan, jo nëse dëshiron ta negociojë me sukses një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës.

Nëse Albin Kurti arrin ta fitojë shumicën pas zgjedhjeve, raportet speciale mes Kosovës dhe SHBA-së mund të shënojnë nivelin më të ulët. Përkundër fitores së presidentit Biden, SHBA-ja ende po mban qëndrim të ashpër në relacionin e saj me Kosovën. Pritet të shihet nëse administrata e Bidenit do t’i kthejë prapa ndryshimet në politikë të jashtme që i kishte vënë presidenti i mëhershëm. Përveç disa riorganizimeve të vogla në Lindjen e Mesme, Biden duket se ka më shumë gjasa ta vazhdojë qasjen e politikës së jashtme të Presidentit Trump. Dhe qëndrimi provokues i Albin Kurtit ndaj Serbisë – siç shihet në aventurën e tij të fundit politike, kur e vizitoi pjesën serbe të Mitrovicës – padyshim nuk po e ndihmon. As nuk po zbut tensionin e përgjithshëm.

Kreu i partisë Vetevendosje vizitoi Mitrovicën e Veriut, një rajon me një shumicë serbe etnike që funksionon kryesisht në mënyrë autonome nga pjesa tjetër e Kosovës me shumicë shqiptare etnike, në fillim të muajit. Vizita, e cila kryesisht u dënua nga të gjitha partitë politike kosovare, tërhoqi shpejt vëmendjen e përfaqësuesve dhe zyrtarëve serbë, të cilët akuzuan Albin Kurtin për “përpjekje për të shkaktuar kaos dhe dhunë duke nxitur popullin serb”. Kurti mbrojti veten duke thënë se vizita ishte kryesisht paqësore, por videot e postuara në internet treguan dhjetëra serbë që bërtisnin me fyerje ndaj politikanit kosovar.

Midis një Serbie nacionaliste që po refuzon të tërhiqet nga pretendimet e saj territoriale dhe një Shqipërie të hutuar që ka parë perspektivat e saj për të hyrë në BE të zbeheshin shpejtë, zgjidhja e vetme për një normalizim të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kosovës duket të jetë Enver Hoxhaj, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme. Hoxhaj nuk është i njohur vetëm për marrëdhëniet e tij të mira me presidentin Biden, por ai është parë jashtë edhe si partner i besueshëm që mund të ulet në tryezën e negociatave, në krahasim me Albin Kurtin vullkanik dhe populist, temperamenti i të cilit mund të rrezikojë çdo marrëveshje të mundshme.

Albin Kurti mund të duket si zgjedhja e natyrshme për administratën e Biden. Por, në fund të ditës, Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për një provokator në pushtet, në Ballkan. Bile as populist. Çfarë u duhet është një politikan i besueshëm kosovar që ka provuar se është një mik i vërtetë i SHBA-së, një politikan që kupton se marrëdhëniet e veçanta midis këtyre dy vendeve janë të ndërthurura aq thellë sa nuk mund të vihen në rrezik nga ambicia e dikujt për të ardhur në pushtet.

Një gjë është e sigurt – Kosova ka nevojë për stabilitet. Albin Kurti nuk ka arritur ta sigurojë vendin dhe botën se do të arrijë t’i sjellë të gjithë partnerët në tryezën e negociatave. Ardhja e tij në pushtet mund të duket ngushëlluese për shumë njerëz që votojnë për të, por në fund të ditës kjo ndjenjë e vetme nuk do të zgjidhë asgjë tjetër, por vetëm do ta polarizojë situatën edhe më shumë. Që një marrëveshje të funksionojë, çdo akter i përfshirë në këtë situatë do të duhet të bëjë kompromis, dhe qëndrimi i Albin Kurtit nuk lë aspak vend për një gjë të tillë. Pa kompromis, nuk ka marrëveshje.

Pas të gjithash, duket se e vetmja rrugë diplomatike që çon tek Biden, është përmes udhëheqjes së Enver Hoxhajt. Nëse ai arrin të formojë koalicion pas zgjedhjeve dhe ta bllokojë ardhjen në pushtet të Kurtit, Kosova mund të ketë shanse më të mira për ta negociuar një marrëveshje të mirë me Serbinë përmes administratës së Biden. Por nëse Albin Kurti fiton, kazani i fuqive ballkanike mund të eksplodojë shpejtë, duke e shtyrë rajonin edhe njëherë drejt pasigurisë dhe jo-stabilitetit. Dikush edhe mund t’i gëzohet fitores së mundshme të Vetëvendosjes, por nuk e kanë as idenë më të vogël se çka mund të nënkuptojë kjo për të ardhmen e Kosovës, e as për të ardhmen e Ballkanit.

Zgjedhjet e 14 shkurtit janë përballje midis një PDK-je të parashikueshme dhe një Vetëvendosjeje të paparashikueshme. Do të na duhet të presim për të parë nese frika nga e panjohura është e mjaftueshme për t’i ndaluar votuesit që ta zgjedhin dikë që e ka pritur këtë moment për kohë të gjatë.