Gashi: Pa Turqinë nuk ka paqe në rajon


Gazeta Express
9 Shtator 2019 13:52

Kryetari i partisë AlternAtivA, Afrim Gashi, në një intervistë për Anadolu Agency AA, ka komentuar integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e Turqisë me popujt e Ballkanit e në veçanti me shqiptarët. Gashi mes tjerash komentoi edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi duke theksuar se epilogu i këtij dialogu do të duhet të jetë njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.

“Unë mendoj që në Ballkan nuk mund të ketë paqe afatgjate pa implikimin e Turqisë në rajon. Mendoj se jo vetëm që implikimi i Turqisë do ta ndihmonte, lehtësonte arritjen e marrëveshjes por do ta ndihmonte edhe palën shqiptare duke i ditur raportet e mira që i ka shteti turk me kombin shqiptar edhe me Kosovën në përgjithësi. Por, ajo nga ana tjetër mund të jetë edhe një garant i paqes duke qenë anëtare e NATO-s dhe një partner i fuqishëm me SHBA-të në NATO”, theksoi Gashi.

Sipas tij, kohëve të fundit trendet globale tregojnë se betejat kryesore botërore zhvillohen për tregje, financa dhe pasuri materiale.

“Mendoj që goditja me bërryla apo tendenca e disa shteteve që të ndërpriten raportet e mira tradicionale të shqiptarëve dhe turqve mendoj se duhet t’i shohim më shumë nga ai dimension”, tha ai.

“Maqedonia e Veriut ‘de facto’ është anëtare e NATO-s”

Kryetari i partisë AlternAtivA duke folur edhe për Marrëveshjen e Prespës të cilën Maqedonia e Veriut dhe Greqia në qershor të vitit të kaluar e nënshkruan, tha se “është një marrëveshje historike”.

Ai duke treguar se tashmë Maqedonia e Veriut është në fazën e ratifikimeve të protokollit për anëtarësim në NATO, shprehu shpresën se deri në fund të vitit do të përmbyllet ky proces.

“Maqedonia e Veriut ‘de facto’ është anëtare e NATO-s, vetëm presim ‘de jure’ të gjitha shtetet anëtare të NATO-s ta përmbyllin këtë proces”, u shpreh Gashi për AA, duke e falënderuar Turqinë për përmbylljen e kësaj çështje në mënyrë shumë të shpejtë.

Gashi, mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) e komentoi si “zhgënjim për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, pasi vendi nuk ishte shpërblyer për kompromisin e madh që e ka bërë.

Ai është optimist se në muajin tetor do të hapen negociatat me BE-në.

Te fundit


Kthehu lart