Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi ka demantuar lajmin e publikuar nga gazetari Furkan Saliu për vizitën e këtij të parit në Beograd.
Në vijim keni tekstin e plotë nga demanti i Gashit.
“Në lidhje me akuzat e paraqitura në një emision në rrjetet sociale, theksojmë se përmbajtja është tendencioze, e mbushur me pasaktësi dhe synon qartë t’i shtrembërojë faktet dhe ta manipulojë opinionin publik.
Më konkretisht, udhëtimi i datës 27 tetor 2024 nuk ka qenë vizitë në Beograd, siç është pretenduar në mënyrë të rreme, por vizitë në Preshevë. Deri më tani asnjë gazetar apo medium nuk ka parashtruar ndonjë pyetje për këtë çështje, gjë që vetëm e konfirmon karakterin joprofesional dhe joetik të publikimit.
Gjithashtu, rikujtojmë se çdo gazetar e di se Kryetari i Kuvendit, sipas ligjit, është i detyruar të jetë nën përcjellje të vazhdueshme të shërbimit të sigurisë së MPB – së. Paraqitja e këtij detyrimi ligjor si “sensacion” është tendencë për mashtrim të opinionit veprim i papërgjegjshëm.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vazhdon t’i kryejë përgjegjësitë e tij me transparencë të plotë dhe përkushtim institucional. Asnjë manipulim nuk mund ta zbehë punën e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa Kuvendi mbetet i hapur, llogaridhënës dhe i përkushtuar në shërbim të qytetarëve.
Kabineti i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut” ka shkruar kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi në Facebook.
tag_katrorimaqedoni_2