Gara për Kryeprokuror, KLP shkel afatin ligjor të vlerësimit të kandidatëve


Gazeta Express
18 Qershor 2019 9:09

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, gjatë një mbledhjeje të detyruar këtë të hënë, vendosi të shtyjë afatin për verifikimin dhe kontrollin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

klp

Shkak është bërë vetingu për kandidatin Olsian Çela, i cili ende nuk ka dalë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në seancë dëgjimore për kontrollin e trefishtë. Duke iu referuar një vendimi të mëparshëm të KLPsë, ku kalimi i procesit të vetingut të paktën në Shkallë të Parë do të bënte të mundur që kandidatët të kalonin në fazat e tjera të përzgjedhjes, Këshilli vendos të shtyjë afatin pa një datë të caktuar.

Por vendimi i marrë nga Këshilli në rregulloren për përzgjedhjen e Kryeprokurorit, miratuar në 19 mars, ka çuar shkeljen e afateve të parashikuara në ligjin nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, që parashikon se brenda 45 ditëve duhet të mbyllet faza e verifikimit të plotësimeve të kushteve ligjore.

VETINGU

Me anë të një shkrese dërguar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që mban datën 8 maj 2019, KLP-ja kërkon që prokurori Çela t’u nënshtrohet me përparësi procedurave të rivlerësimit. Drejtuesi i KLP-së, Gent Ibrahimi, kërkon në këtë shkresë që prokurori të kalojë në seancë dëgjimore brenda 30 ditëve.

“Në këto kushte, nisur nga rëndësia e procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe duke mbajtur parasysh afatin e parashikuar nga neni 31 i ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” për kryerjen e verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët, do të kërkonim nga ana juaj rivlerësimin me përparësi të subjektit Olsian Çela brenda 30 ditëve nga mbërritja e kësaj kërkese”, shkruhet në shkresën që KLPja i ka dërguar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

E ndërsa kanë kaluar 30 ditë, KPK-ja ende nuk ka lajmëruar një seancë dëgjimore për Çelën dhe me vendimin e djeshëm të Këshillit, afati për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë do të shtyhet pa një datë.

KANDIDATËT

Kandidatja Arta Marku, pasi ka kryer stazhin për 2 vjet në Prokurorinë e Fierit, ka ushtruar funksionin si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 15 vite. Fatjona Memçaj, aktualisht prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë, në vitin 2003 mbante postin e prokurores së Rrethit në Tiranë.

Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Lulzim Alushaj është jurist në një kompani private. Fillimisht, ai është diplomuar për Drejtësi nga Universiteti i Bolonjës (Alma Mater Studiorum), më tej mori kualifikimin për të ushtruar profesionin e jurisprudencës në Shqipëri (Dhoma Kombëtare e Avokatisë) dhe në Itali(Consiglio Nazionale).

Prokurori Olsian Çela ka punuar në Prokurorinë e Tiranës, pasi përfundoi Magjistraturën në vitet 1998- 1999. Gjithashtu ka kryer edhe një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë për hetimin e trafiqeve të paligjshme e krimit të organizuar.

PARASHIKIMI LIGJOR

Neni 31 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” parashikon që “Brenda 45 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e shprehjeve të interesit, komisioni përgjegjës për emërimet/karrierën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë verifikon plotësimin e kushteve nga kandidatët, sipas nenit 22 të këtij ligji, bazuar në parimin e barazisë para ligjit, ndalimit të diskriminimit dhe ndershmërisë në vlerësim”

Te fundit


Kthehu lart