Fytyrat e shumta të skamjes


Gazeta Express
20 Mars 2019 16:39

Skamja në Kosovë është ndryshe. Krahasuar me vendet e zona tjera as skamje e njëmendtë nuk është. Mjafton që në vend të byzylikave të ndihmohen rastet sociale dhe si ashtu për bukë nuk vdes kush

Xhemal Ahmeti

Ky është rrëfimi i një 6vjeçareje:

„Quhem Jozefina. Jozefina Fernandez Alvarez. Jetoj bashkë me tetë vellëzërit dhe motrat e mia në Ekuador. Tek ne flitet spanishtja. Shtëpia jonë e drunjtë i ka tri dhoma. Ne fëmijët e kemi një shtrat. Në shtëpinë tonë nuk ka ujë e as rrymë. Ujin e marrim tek një pus ca qindra metra larg vendit ku banojmë. E përziejmë atë pastaj me miell dhe hamë. Nuk është shumë, mirëpo ta mbush barkun.

Babai im punon gjatë sezonit në një plantazh të kakaos. Ne fëmijët punojmë gjithë me të. Përndryshe nuk mbijetojmë si familje. Poqëse ndonjëri nga ne sëmuret mbetemi për një kohë të gjatë pa miell, pa bukë. Unë bart për çdo ditë fryte kakaoje nga plantazha tek ca burra me maçeta të gjata, të cilët i presin ato në mes dhe ua nxjerrin bathët. Ca tjerë i mbushin thasët me to dhe i drejtojnë drejt Europës, atje fabrikat perëndimore bëjnë çokollatë dhe kafe me bathët që i barti unë, çdo ditë, ca kilometra. Me shumë dëshirë do ta vizitoja ndonjë shkollë, fatkeqësisht mirëpo s’kemi të holla. Përveç kësaj ata kanë nevojë që unë të punoj me ta (…).“

II.

Tani le të përpiqemi këtë rrëfim ndjenjadjegës ta përpunojmë filtrave të koncepteve të shumta sociofilozofike mbi skamjen. Jozefina, qenia e saj, na dështon, na shpif e demonton çdo teori të mundshme mbi barazinë ndërhumane. Qofshin ato koncepte kontratash fiktive siç na i ofruan Kant, Rousseau e Rawls e qofshin të teofilëve që jetën mbi këtë dhé e konsiderojnë si ashtu të pavyeshme – natyrisht duke u vërdallë vetë me mercedesë e iphonë e jo duke bartur kakao xhunglave latinoamerikane.

Po ç’na vyejnë ato teoritë e dy grupeve që ndajnë varfërinë në absolute e relative; ato mbi lumturinë, utilitarizmin, drejtësinë e barazinë kur të gjitha i drejton i vetmi: homo egocentriku i papërmirësueshëm që nga parardhësit e Jozefinës, atzekët, mayat, që zbuluan kakaon (shërbente si valutë) e çokollatën, e që nëpërmjet spanjollit që ua vodhi recetën erdhi këndej, deri tek helvetikasi që shtratin e ka djath, çokollat e ar.

Pra  le të shfryhemi, çlirohemi me vargun e Shakespeare-t tek „The Tragedie of Cymbeline“ »… We are all bastards! para se të zbresim sërish në tokën e pellazgëve, ilirëve apo shqiptarëve – asnjëri nga këto kualifikime nuk e ndryshon realitetin, kështuqë le të quhen edhe fis porfetësh po deshën, shqiptarë do mbeten. Kështu siç i kemi sot. Fisnikë, të zotë e taksaplotë.

Pse ikëm nga teoritë, para se të shpalojmë rrëfimin tjetër. Ikëm sepse: asnjë teori nuk na shpëton, justifikon nga akuza se pse bota duhet të popullohet ende nga miliona Jozefina. Do mjaftonte një përiqndje fare e vogël e më të pasurve që gjendja të ndryshonte.

III.

Homologun e Jozefinës mund ta gjejmë fare lehtë shkëmbinjve të Shqipërisë. Andej ku fëmijët gjithë ditën vrasin gurrë për një gram krom. Atë krom që pastaj ua dorëzojnë tregtarëve të Skraparit për një grusht lekë. Aq sa për të mbijetur një ditë, për 500 gram miell dhe jo më shumë. Janë pak këta, jo si miliona shokët e Jozefinës, megjithatë janë dhe kush nuk çan trurin për ta. Kolegun e Jozefinës, mund ta gjesh edhe si fëmijë invalidësh të UÇK-së; si lypës rrugëve të Prishtinës apo duke vegjetuar në ndonjë kuazishtëpi pa dritare e çati. Nuk janë shumë, por megjithatë janë. Po këta, këta kolegë të Jozefinës s’kanë as bukë të hanë e lere më të shajnë rrejteve sociale, mediave e parlamenteve në emër të skamnorëve. Jo. Këtë e bëjnë në sferat shqiptare ata që zhvasin sa munden pare shteti me parti, organizata, media të ngritura ne subvencione në emër të lirisë së shtypit; ojq e çdolloj biznesi tjetër të zi apo të regjistruar. Varfëria është kauza prima dhe omega e këtyre. Po s’patën material nuk ekzistojnë. As makiatto nuk pijnë dot – duke vujatur për skamjen e madhe shqiptare, po si natyrisht.

IV.

Ja erdhëm tek rrëfimi tjetër.

„O s’po m’punon ky dreq samsungu… asht vjetru. Hajt ore ma dergo një iphone se s’bohet kijameti“, i thotë vllau nga Deçani vllait në Bernë.  Ky i mërguari i thotë se nuk id alin paret e rrogës për t’ia blerë edhe një iphone. Ai: „Qysh? Aiii ti në Zvicër e s’po të dalin paret? A po di allhaile se me 600 Eurot dhe 400 tuat as për miell s’na dalin o shoq“.

Pastaj vazhduan tiradat rreth skamjes në Kosovën e varfër, të mjerë, të korruptuar, të tmerrshme.

V.

Jozefina dhe vllai nga Deçani; cili është dallimi ndërmjet tyre. Ai që ndanë varfërinë në absolute dhe relative. Shtetet shqiptare duhet të bëjnë çmos që të eliminojnë shumimin e kolegëve të Jozefinës shoqërive shqiptare e sa për këta të iphonëve dhe ata që kauzë kanë skamejen për tu pasuruar edhe më shumë – le të provojnë me demagogjinë edhe mëtutje.

Te fundit


Kthehu lart