Fytyra e neveritshme e deportuesit


Gazeta Express
25 Qershor 2019 11:00

Ai që njëherë ka qenë i dëbuar, deportuar nuk i harron kurrë fytyrat që ia hapën portën drejt ferrit. I dëbuari rëndom nuk dëbon. Se paku jo ata që shkaktuan dramën e tij. Ose po? Janë kosovarët një kategori njerëzish, përtej kësaj norme? Ata ndoshta jo, por parti dhe primatë të caktuar të tyre gjithsesi! Nuk ka dramë më absurde se sa ajo kur viktima përvetëson «moralin» e xhelatit të saj

Xhemal AHMETI

Gjermania naziste detyronte çdo vend aleat të saj t’ia dorëzojë hebrenjtë. Ata përfundonin në kampet e perqëndrimit. Gjithë deportonin: edhe Zvicra që ishte shndërruar në arkë ari e parash të të dyja palëve; viktimave dhe xhelatit. Nëse lexojmë nga perspektiva e së drejtës legale të asaj kohe, atëherë themi, burokratët, shteti paskan qenë të detyruar se ashtu paskan qenë ligjet. Ligjet e kujt? Dhe a nuk është çdo ligj de facto aq shoshë saqë mund ta spekulosh ad infinitum? Temat e dilemat juridike ua lëmë divizionit në thelb kozmetik të jursitëve, avokatëve dhe gjykatësve të Republikës më të re të kontinentit.

Po ana humane? Kësaj pyetjeje duhej t’i përgjigjet Zvicra e viteve të 90-ta kur u kap në flagrancë duke djegur dokumentet bankare të ish klinetëve të saj. Dokumentet dëshmonin sjelljen grykëse dhe të pamoralshme të bankave zvicerane ndaj klientëve të tyre hebrenj: ato kishin pëvetësuar ilegalisht kapitalin e viktimave të gjalla e të vdekura të Adolf Hitlerit, gjatë dhe pas LDB-së. Ishte fjala për mijëra pronarë kontosh nga e gjithë Europa. Të asaj kategorie që kur i afroheshin kufirit të strehohen aty ku kishin kapitalin , u ndalohej hyrja dhe u dorëzoheshin gjermanëve. Ky prostituim i Zvicrës me Gestapon do mbetet përjetësisht njolla shëmtuese në fytyrën e bukur të zonjës alpike – Helvecisë. Mbetet njolla e amshueshme e saj, ngase historia, kujtesa njerëzore nuk pyesin se ç’ligjësh pate, por ç’krimi bëre kundër humanitetit.

Shqiptarët nuk ndalen duke bërë ekspozita se si shpëtuan hebrenjë – nuk tregojnë për ata që i dëbuan gjatë qenies nën narkozën e „Shqipërisë së Madhe“ që ua mundësoi daja Hetë. Megjithatë mosdeportimi për nga numri hebrenjve peshon shumë më shumë dhe s’duhet relativizuar. Shqiptarët si popull u sollën për t’ua pasur zili.

Ishin më humanë shqiptarët kur i shtypnin apo sundonin tjerët e s’munden dot të jenë human as ndaj të vetëve kur sundojnë veten? U shndrruan kaq shpejt nga të dëbuarit me stela e pela, me pushkë e me dhunime në dëbues që sot ta shkaktojnë neveritjen?

Kësaj pyetjeje iu përgjigjën institucionet e shtetit të Kosovës sapo u erdhi njëherë shansi historik: ata dëbuan një grup njerëzish që ua kërkoi tirani i sëmurë i Bosforit. Një grup familjarësh që as kishin qenë atje kur ndodhi rasti i vetinskenuar në vendin e caktuar. Po – ndodhi tha shteti dhe sidomos parlamenti, njerëzit e të gjitha ngjyrave partitopolitike thyen kurriz e gjestikë për të demonstruar sa më plastikisht dhimbjen dhe pendimin. U penduan? Jo. Ashtu pozuan. Këtë, dje e mësuam. Nga (jo)nënshkrimet personale të tyre, sinjaturat e atyre që deportuan. Emrat e këtyre i gjejmë në listën që gazeta „Express“ e botoi dje, me ata deputetë që ose kishin ikur nga seanca, ose abstenuan ose edhe më keq votuan kundër raportit që mëton të zbardhë turpin e parë të organizuar e institucional kosovar kundër të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ata që nuk votuan e bënë ngase janë akterët, autorët e dëbimeve të tilla; pasi vetë janë ata që do kishin dëbuar gjithkë kur t’ua kërkoj padroni i jashtëm apo i brendshëm; janë vetë minitiranë që u ekspozuan sapo u erdhi rasti i parë – është e njejtë se a e bënë ditën e dëbimit klandestin apo dje me nënshkrim. Parimi i tjetrit (i cili mund të jetë edhe kriminel, si në këtë rast) shpesh është vektori që na depërton në frymën dhe esencën e qenies së tij. Nuk voton njeriu kundër vetes. Nuk voton njeriu kundër padronit të tij që e ushqen – së paku jo deri sa të ndalen paratë, pastaj e hanë edhe atë dorë ushqyese si kanibalët dikur armiqt e tyre.

Shumica nga ata që nuk votuan ose ikën ishin të një partie të caktuar. Domethënë kjo parti ndihet përgjegjëse për atë shkelje të rëndë. Madje ajo refuzimin e bëri me një arrogancë dhe tallje që nuk e bënjë njeriu që disponon me një përqindje minimale fryme njerëzore – thanë „a s’keni tema tjera më serioze?“ Tema tjera më serioze se jeta dhe fati i njerëzve? Nuk kontestuan raportin, por temën, reagimin si të tillë. Ky është gabimi më fatal i tyre – sidomos në sytë edhe të atyre që nuk paragyjkojnë në saj të propagandave partiake e ideologjike, por ne sajë të fakteve dhe parimeve etike humane. Rënia totale morale e një kolektivi, një organizate nuk duket ndryshe, çka implikon se ajo përkundër gjitha premtimeve: s’pastrohet dot! E vetmja mënyrë për të shpëtuar prej saj është …vetëdija dhe ndërgjegja e atyre që e kanë votuar atë deri dje. 

Te fundit


Kthehu lart