Futbollisti izraelit: Kosova kundërshtar i fortë, por ne e duam pozitën e dytë - Gazeta Express
string(76) "futbollisti-izraelit-kosova-kundershtar-i-forte-por-ne-e-duam-poziten-e-dyte"

Futbollisti izraelit: Kosova kundërshtar i fortë, por ne e duam pozitën e dytë

Futboll

Gazeta Express

25/03/2023 14:03

Kombëtarja e Izraelit ka respekt të veçantë dhe kujdes të shtuar për Kosovën, në prag të përballjes së tyre të sontme në Tel Aviv.

Këto dy Kombëtare do ta hapin kampanjën e tyre kualifikuese për Euro 2024, ndërsa e kanë një qëllim të njëjtë – fitoren.

Lexo Edhe:

Izraelitët janë të vetëdijshëm se nuk do të kenë punë të lehtë në duel me “Dardanët”, por duan t’i mbajnë pikët në shtëpi, shkruan “Gazeta Express”.

Njëjtë si Kosova, edhe ata e kanë synim vendin e dytë dhe kualifikimin në Evropianin e Gjermanisë.

“Ne jemi të obliguar për të luftuar për vendin e dytë. Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë e lehtë, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Kosovën. E dimë se e kemi një mundësi reale, por duhet ta sjellim më të mirën tonë në lojë, në mënyrë që ta arrijmë këtë”, deklaroi futbollisti izraelit, Elazar Dasa, i cili luan si mbrojtës i djathtë.

Krahas futbollistit të Dynamo Moskës, edhe selektori kërkoi nga ekipi i tij që ta nisë mbarë fazën kualifikuese, ndërkohë që shfaqi respekt për kundërshtarin e sontëm, shkruan “Gazeta Express”.

“Jam i ngazëlluar që do t’i kemi dy ndeshje mjaft të rëndësishme dhe të vështira, të cilat i kemi përpara nesh. Ndoshta Kosova nuk është emër i madh, por e ka një ekip të shkëlqyeshëm kombëtar që nuk ka ardhur për të ecur nëpër park. Qëllimi ynë është suksesi i kombëtares dhe t’i regjistrojmë rezultatet më të mira të mundshme”, u shpreh trajneri izraelit.

Izraeli dhe Kosova do të përballen sot në Tel Aviv në ndeshjen që do të fillojë në orën 18:00 me kohën tonë lokale. /Gazeta Express/