Futbollistët e Crvena Zvezdës provokojnë me këngë për Kosovën në autobus


Gazeta Express
10 Tetor 2019 10:32

Gjatë rrugëtimit të tyre drejt kthimit në Serbi pasi që s’iu lejua hyrja në Kosovë, futbollistët e Crvena Zvezdës u argëtuan në autobus me këngë provokuese për Kosovën.

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet dje në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës dështoi pasi që Policia e vendosur në Jarinë nuk i lejoi serbët të futen në territorin kosovar, raporton Gazeta Express.

Pasi u kthyen nga Policia e Kosovës, futbollistët serbë e incizuan veten duke kënduar për Kosovën. Videon mund ta ndiqni në vijim, ndërsa tekstin e përkthyer të këngës e gjeni më poshtë.

“Zbardh agimi nga Kosova, fillon dita e re. Graçanica, plot shkëlqim, e pret Vidovdanin! Oj Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur, toka e kalorësve të mrekullueshëm, Lazar dhe Milos”, këndojnë futbollistët e Zvezdës.

“Të gjithë heronjtë nga Serbia, çdo zemër është krenare. Dashurojeni dhe putheni tokën e juaj, Kosovën. Oj Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur, toka e kalorësve të mrekullueshëm, Lazar dhe Milos”.

“Të gjithë serbët brohorasim: Nuk do të të falim ty Kosovë, ke qenë gjithmonë e jona dhe ndër vite ke mbetur e jona! Oj Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur, toka e kalorësve të mrekullueshëm, Lazar dhe Milos”.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.

FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.

Në vend të kësaj, gazeta serbe Kurir raporton se ndeshja Trepça – Crvena Zvezda, në kuadër të Kupës së Serbisë, do të zhvillohet në Serbi sot në orën 15:00 , e jo në Kosovë siç ishte planifikuar fillimisht.

Të pranishëm në Jarinë ishin edhe një grup i tifozëve të Zvezdës, që provokuan me këngë “Oj Kosovë, oj vendi im”, liderët e dy klubeve dhe presidenti i Listës Serbe, Goran Rakic. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart