Fury e konfirmon meçin e tij të radhës


Gazeta Express
14 Maj 2019 14:00

Tyson Fury e ka pranuar urdhrin e WBC-së që të ndeshet me Dillian Whyte.

Që Tyson Fury ta zhvillojë rimeçin e shumëpritur me Deontay Wilder, ai fillimisht duhet të fitojë kundër Dilian Whyte, pasi që Këshilli Botëror i Boksit (WBC) ka kërkuar që dy britanikët të ndeshen mes vete, transmeton Gazeta Express.

Fury dhe Wilder e kishin përfunduar meçin e tyre për titullin e kampionit të peshave të rënda të WBC-së me një barazim kontrovers, por deri më tani ata s’kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e një rimeçi, transmeton Gazeta Express.

Presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaiman, ka thënë se britaniku 30-vjeçar duhet ta fitojë meçin kundër Dilian Whyte për ta fituar të drejtën e një rimeçi me Wilderin. Nëse Whyte fiton, atëherë ai do të ketë mundësi ta sfidojë Wilderin për titullin e kampionit të WBC-së.

“E kam një mesazh të veçantë për WBC-në. Së fundi e pash se ju kishit urdhëruar që unë të përballem me Dillian Whyte dhe jam shumë falënderues për këtë mundësi”, ka thënë Fury.

“Por, unë e mposhta Deontay Wilderin dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi. Vendimi nuk ishte në favor timin, por unë prapëseprapë fitova dhe këtë e di e gjithë bota”.

“Kështu që unë propozoj që unë dhe Dillian Whyte të ndeshemi për rripin “diamond” dhe jo për atë “interim”. Unë do të kujdesem për Whyte dhe do ta nokautoj në gjashtë rundet e para”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe vetë Whyte.

“Le ta bëjmë pra, Tyson Fury. Do të luftoja kundër teje kurdo, kudo, shtatë ditë të javës dhe pesë herë të dielën. Mezi po pres të të vë në gjumë”, u shpreh Whyte.

Wilderi do ta mbrojë titullin e tij kundër Dominic Breazale më 18 maj, në Barclays Center në Nju Jork. Në anën tjetër, Fury është duke u përgatitur për meçin kundër gjermanit Tom Schwarz më 15 qershor në Las Vegas. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart