Fuqitë evropiane kritikojnë Iranin për kufizimin e inspektimeve bërthamore - Gazeta Express
string(74) "fuqite-evropiane-kritikojne-iranin-per-kufizimin-e-inspektimeve-berthamore"

Lajme

Gazeta Express

23/02/2021 19:29

Fuqitë evropiane kritikojnë Iranin për kufizimin e inspektimeve bërthamore

Lajme

Gazeta Express

23/02/2021 19:29

Britania, Franca dhe Gjermania kritikuan vendimin e Iranit për të braktisur regjimin e inspektimit të lokacioneve bërthamore, si dhe për të zvogëluar transparencën në lidhje me aktivitetin e tij bërthamor.

Një ditë më herët, Irani njoftoi se i jep fund zbatimit të Protokollit Shtesë, që lejon inspektime të befasishme në lokacionet bërthamore.

Lexo Edhe:

Ky veprim sinjalizon një shpërbërje të mëtejshme të marrëveshjes bërthamore, të nënshkruar në vitin 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore: SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës.

Irani ka nisur të shkelë kushtet e saj, prejse ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër Iranit.

“Na vjen thellësisht keq që Irani, nga sot, ka filluar të pezullojë Protokollin Shtesë dhe masat e transparencës”, thanë ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë përmes një deklarate të përbashkët.

“I bëjmë thirrje Iranit që t’i kthejë mbrapsht të gjitha masat që ulin transparencën dhe të sigurojë një bashkëpunim të plotë dhe në kohë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore”, shtuan ata.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka folur së voni edhe për mundësinë e përshkallëzimit dramatik të pasurimit të uraniumit.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të bërë karburant për reaktorë, por edhe për bomba bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është i pastër 90%.

Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se është i gatshëm të takohet me Iranin për programin e tij bërthamor, por ka këmbëngulur se ai duhet të kthehet në kushtet e marrëveshjes bërthamore, përpara se të diskutohet mundësia e lehtësimit të sanksioneve.

Republika Islamike thotë se SHBA-ja duhet të veprojë e para.

Kriza mbi programin bërthamor të Iranit është në agjendën ndërkombëtare për gati 20 vjet.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore, ndërsa SHBA-ja dhe fuqitë tjera botërore dyshojnë se ai po përpiqet të zhvillojë fshehurazi armë bërthamore.