Fuqia e komunikimit


Gazeta Express
25 Prill 2019 16:20

Një shfaqje nga Kosova në Serbi nuk është provokim. Një ekspozitë nga Beogradi në Prishtinë është tejkalim, është shprehje artistike dhe shpesh thumbim ndaj realitetit. Ndoshta, çka na bashkon është realiteti i dy shteteve, që nuk dallon fort. Një promovim i autorëve të rinj nga Kosova në Serbi, apo vice-versa, nuk do të thotë madje as propagandë, do të thotë njohje e njëri-tjetrit, në nënvetëdije edhe pranim i fajit dhe ndjenjave që vijnë me fajin, do të thotë përqafim i ndryshimeve që nuk na bëjnë shumë ndryshe prej njëri-tjetrit.

Arbër Selmani

Dy shtete të cilat nuk komunikojnë mes vete, ose kanë një transaksion gjuhësor të dobët dhe shpesh të keqkuptuar, e kanë problem të kenë marrëdhënie të mira. E kur këtu i shtohet një marrëdhënie e ftohtë ndër vite, dhe një konflikt që kulmoi në një luftë, atëherë bëhet ende më problematik procesi i ballafaqimit me të kaluarën dhe ballafaqimi edhe me të tashmen, por edhe me të ardhmen midis këtyre vendeve.

Konkretisht, Kosova dhe Serbia rrallë kanë pasur marrëdhënie të mira mes vete. Historikisht, nën ombrellën e Jugosllavisë, ka pasur pëlqime disa herë mes dy shteteve, por gjithmonë diametralisht. Në njërin kënd Kosova e në tjetrin kënd gjithmonë më të fuqishëm dhe më leverdisës Serbia, vendet kanë ecur tutje ashtu siç ka ecur gjithçka në Jugosllavi.

E në komunikimin e këtyre 20-të viteve të pasluftës në Kosovë, gjuha me më pak urrejtje dhe gjuha që ka ditur të komunikojë më butë ka qenë gjuha e artit dhe kulturës. Kuptohet, edhe kjo gjuhë do të jetë gjithmonë e mbushur me luftë, me prapavijë lufte, me ballafaqim të asaj që ka ndodhur, me përkujtim e kujtim të të vrarëve, por ka ardhur edhe si gjuhë e artit bashkëkohor, i tillë si është, i kuptueshëm ndonjëherë, kompleks, sensitiv, që ngjallë debat dhe provokime, brenda suazave të artit dhe kulturës, gjuhës universal që tejkalon nacionalitete, etnitete, primitivizma.

Festivale, lexime poezish, shkëmbime të artistëve, promovime librash, performanca të ndryshme e koncerte kanë ndodhur nga shqiptarët në Serbi, dhe nga serbët në Kosovë, për të provuar një pajtim mes vete. Një pajtim që do të rezultonte në një lëvizje të lirë, në një komunikim të lirë, larg diskursit politik dhe zhvillimeve politike që megjithatë, janë të pashmangshme.

***

Në Beograd, Rona Nishliu – këngëtare nga Kosova, pati performuar në një atmosferë e cila të bënte të harrosh vendin ku je, historinë e tij, tendencat e tij ndër vite. Për disa orë, harrohej prejardhja e artistëve, harrohej fakti kush është agresori e kush është viktima, për ta përqafuar kësisoj emocionin e momenteve, emocionin që të jep muzika dhe faktin se sa njerëzore është muzika dhe se sa mund të bashkojë njerëzit e përçarë. Serbët dhe shqiptarët e Kosovës, në këtë natë diku rreth vitit 2013-të apo 2014-të në Beograd, shtrënguan duart nën të njëjtën çati, dhe dialoguan mirë, më pak me zë sesa me muzikë.

Unë, bashkë me Ervina Halilin dhe me Shpëtim Selmanin, kemi qëndruar secili për një muaj në Beograd, në vitin 2014-të. Ishim të tre fitues të rezidencës letrare Writers-in-Residence në kuadër të programit KROKODIL, dhe u duk si një mundësi e mirë për të përjetuar pak a shumë skenën kulturore në Beograd. Nuk e di për Ervinën dhe Shpëtimin, por unë nuk kam hasur në asnjë problem. Madje, me poezitë e mia, kam gjetur gjuhën e përbashkët me secilin serb që e kam takuar përgjatë qëndrimit tim në Beogradin e Ri. Dhe njerëzit që kam takuar, nuk kanë qenë vetëm shkrimtarë dhe njerëz të botës së letrave e shtëpive botuese. Kam takuar të rinj e të reja që ndoshta nuk e njohin Kosovën, jo për fajin e tyre, por që nuk kanë krijuar asnjë projektim të Kosovës në mendjen e tyre, paçka se media këtu e atje jo rrallë angazhohen që të propagandojnë imazh të tmerrshëm.
Edhe këtu, e shfrytëzova artin tim për të komunikuar me një shtet ku komunikimi mungon brenda, njëjtë si në Kosovë.

Dhe të tilla janë mënyrat për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis dy shoqërive toksike, si Kosova e Serbia. Dy shoqëri, sistemi i edukimit i të cilave e ka bërë gati të pamundur të mësojmë gjuhën e njëri tjetrit dhe të komunikojmë e lëvizim lirshëm. Megjithatë, artistët e të dyja shteteve kanë gjetur mënyrat që të afrohen me qytetarin e thjeshtë të shtetit tjetër, t’i tregojnë këtij qytetari se jo gjithçka është luftë, jo gjithçka është paragjykim, jo gjithçka është stereotip. Ka ende njerëz në të dyja anët të cilët janë të vetëdijshëm kush është viktima e kush agresori, duan kërkimfalje, duan t’i gjejnë të zhdukurit por mbi të gjitha, duan të vazhojnë një jetë ku nuk do të ketë mundësi as edhe territor për një konflikt të ri.

Shembuj të ndryshëm ekzistojnë mbi këtë tentim të artit e kulturës së të dyja vendeve për të ndihmuar në komunikim, për ta normalizuar tensionin në ajër që ekziston mes dy shteteve, të cilit për hir të së vërtetës, politika i kontribuon në baza të shpeshta gjatë vitit.

****

Ekziston një dialog politik, i cili ka vënë vulën e tij në jetën e secilit prej nesh. Sepse ne jemi ajo çka na rrethon, ne jemi politika jonë dhe ne jemi mbi të gjitha, krijesa që ndikohemi prej këtij realiteti. Dhe të jetosh në Serbi, ti je i lidhur me Kosovën. Njëjtë, të jetosh në Kosovë do të jesh i lidhur në një formë a tjetrën me shtetin serb, sidomos në zhvillimet momentale politike.

Fatmirësisht, ekziston një dialog edhe kulturor që ndodhë mes Kosovës e Serbisë. Një dialog që i hapë rrugë të rinjve me mendje të kthejllta që të shohin botën me sy ndryshe, ta shohin edhe shtetin e tyre me një qartësi të kristaltë, ndoshta ndryshe prej gjeneratave si puna jonë – të ngjizur në konflikt, të lindur në konflikt, të rritur në konflikt dhe duke provuar ta gjejmë veten, si mision i përjetshëm.

Një shfaqje nga Kosova në Serbi nuk është provokim. Një ekspozitë nga Beogradi në Prishtinë është tejkalim, është shprehje artistike dhe shpesh thumbim ndaj realitetit. Ndoshta, çka na bashkon është realiteti i dy shteteve, që nuk dallon fort. Një promovim i autorëve të rinj nga Kosova në Serbi, apo vice-versa, nuk do të thotë madje as propagandë, do të thotë njohje e njëri-tjetrit, në nënvetëdije edhe pranim i fajit dhe ndjenjave që vijnë me fajin, do të thotë përqafim i ndryshimeve që nuk na bëjnë shumë ndryshe prej njëri-tjetrit.

Dhe të njëjtin mision e ka edhe projekti Go Dialogue, për të bashkuar të rinjtë dhe të rejat e Kosovës dhe Serbisë të cilët ende kanë shpresë në konceptin ‘fqinjësi’ dhe duan ta dialogojnë mes vete, të bisedojnë, me komunikimin më human të mundshmëm si çelës të problemeve tona.

Ky editorial është pjesë e fushatës së komunikimit #HapuPër – GoDialogue, lidhur me dialogun e përkrahur nga BE, dhe ka për qëllim të pasqyrojë benefitet që i sjell publikut në Kosovë dhe Serbi ky dialog. Ky aktivitet është i përkrahur nga Bashkimi Evropian.

Përmbajtja e tekstit në tërësi është përgjegjësi e JabihEU dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart