FSHF i paguan futbollistët në këtë kohë krize për shkak të koronavirusit - Gazeta Express
string(72) "fshf-i-paguan-futbollistet-ne-kete-kohe-krize-per-shkak-te-koronavirusit"

FSHF i paguan futbollistët në këtë kohë krize për shkak të koronavirusit

Gazeta Express

09/04/2020 18:10

Futbolli është ndërprerë për shkak të koronavrusit, ashtu siç është paralizuar jeta në shumicën e vendeve të botës, ndërsa një vend të rëndësishëm po merr debate nëse duhen paguar futbollistët gjatë kësaj kohe apo jo.

Shumë qeveri të botës kanë akorduar buxhete të veçanta për të ulur sadopak humbjet ekonomike të klubeve për shkak të krizës, nismë të cilës i është bashkuar edhe Kosova, por jo Shqipëria, pavarësisht apeleve të drejtuesve të shumë skuadrave.

Lexo Edhe:

Megjithatë Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet presidentit Armando Duka, ka njoftuar sot se ka arritur të sigurojë një fond për t’u dhënë nga një pagë prej 30 mijë lekësh të reja çdo njeriu që merret me futbollin, përfshi futbollistë, trajnerë, arbitra e punonjës të tjerë, që kanë mbetur pa punë për këtë periudhë kohore.

Kjo paketë ndihme do të jetë e vlefshme për periudhën 15 mars-15 prill dhe sipas presidentit të FSHF-së, Armando Duka, do të përsëritet edhe për muajin pasardhës, nëse aktivitetet sportive nuk do të rifillojnë normalisht.

Burimet financiare të paketës, sipas Dukës, janë solidarizimi I administratës me paga të larta dhe stafit teknik të Kombëtares, me në krye trajnerin Edi Reja, që kanë pranuar të përgjysmojnë të ardhurat e tyre, por edhe një kredi që FSHF po e merr në institucionet bankare.

Fjala e plotë e presidentit të FSHF-së, Armando Duka:
Gjatë kësaj kohe Federata e Futbollit është munduar të jetë afër anëtarëve të saj dhe afër shoqërisë shqiptare për të minimizuar apo për të ulur atë vështirësi të jetës së mbyllur; ndryshimin e mënyrës së të jetuarit nëpërmjet lojërave, konkurseve, apo trajnimeve online për futbollistët për të ruajtur formën e tyre. Federata gjithashtu është solidarizuar me mjekët në Ditën Botërore të Mjekësisë duke u dhuruar mjekëve një bluzë të kombëtares; të gjithë stafeve mjekësore që shërbejnë në vijën e parë që nuk takojnë dot as fëmijët, dhe fëmijëve të tyre nga një top në mënyrë simbolike.

Një pjesë e komunitetit tonë të futbollit, futbollin nuk e ka një pasion, por e ka profesion, me të cilin jeton dhe mban familjen. Por virusi e ka detyruar të mbyllet dhe mos ta ushtrojë. Kështu që Federata është munduar të bëjë ndërmjetësin mes punëtorit sportiv dhe qeverisë shqiptare për të arritur të kompensojë në këto ditë të vështira punonjësit sportivë, futbollistë, zyrtarë etj. Kemi qenë të pasuksesshëm për të bindur qeverinë deri më sot.

Në këto kushte, Komiteti Ekzekutiv i Federatës ka vendosur të miratojë një paketë financiare, në ndihmë të futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe gjithkujt që është i punësuar në futboll. Kjo paketë financiare parashikon, dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare siç mund të quhet, për një periudhë një mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të rinj; nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish.

Detajet dhe e gjithë pagesa do të bëhet direkt për futbollistët, zyrtarët apo trajnerët e futbollit që nuk kanë mundësi të kenë një pagë tjetër, pra që futbollin e kanë profesion, dhe nuk marrin një pagë nga një burim tjetër shtetëror. Federata do t’i shpërndajë direkt pagesat tek individët, në numrat e llogarive bankare, besoj se në mënyrë të shpejtë administrata (e Federatës) duke filluar nga nesër do ta realizojë shpërndarjen e tyre.

Burimi financiar i kësaj pakete, është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja dhe stafi i tij. Të gjithë pagat e larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, sepse siç dihet kjo është diçka e paparashikuar në buxhetin tonë. Pra edhe një kredi financiare të cilën ne mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm.