Fshati Vranidoll i harruar nga Komuna e Prishtinës, ankohen banorët


Gazeta Express
12 Korrik 2019 10:51

Fshati Vranidoll, i cili i takon Komunës së Prishtinës është lënë pas dore nga kjo Komunë qe një kohë të gjatë, pasi banorët në këtë fshat ankohen për mungesë të ujit të pijshëm, asfaltimin e rrugëve, si dhe shumë probleme të tjera.

Kështu tha në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini një nga banorët e këtij fshati, i cili tha se fshati i tyre është i harruar nga Komuna e Prishtinës, pasi askush nuk merret me problemet e tyre.

Ai kërkoi nga Komuna e Prishtinës, që të investohet në këtë fshat mbi të gjitha siç tha ai, të gjithë banorët janë pagues të rregullt të tatimeve, transmeton Telegrafi.

“Si fshat jemi tërësisht të harruar nga komuna. Prej 2014 kemi bërë kërkesë për emërimin e rrugëve, por asgjë nuk është bërë. Jemi bërë si me qenë fshat diku në Kalkutë. Ujë nuk kemi, për çdo ditë duhet ta thërrasim ujësjellësin në telefon dhe na thonë që ju po vaditni bahçen, e nuk ka fakte të gjalla që ne po vaditim sepse baballarët tanë na e kanë lënë nga një bunar ku me të mund të vaditim”, ka thënë ai.

Siç shtoi tutje banori, si fshat kanë bërë kërkesa të shumta mirëpo, kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Kam bërë kërkesa sa kam mundur, por asgjë nuk është bërë. I vetmi fshati Vranidoll është i lënë jashtë komunës, e ne i takojmë Prishtinës. Varrezat janë thurë në krejt Komunën e Prishtinës, e ne i kemi dy varreza dhe nuk i intereson askujt për rregullimin e tyre, se sipas tyre nuk kanë mjete. Ne po i paguajmë të gjitha tatimet, jemi të rregullt në pagesën e tyre. Ata po dinë me na e mbledh tatimin e  nuk bëjnë asgjë për ne”, tha tutje ky banor.

Ndërsa drejtori i drejtorisë së Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave, Gëzim Mehmeti gjatë këtij emisioni tha se është e pamundur që në çdo fshat të Komunës së Prishtinës të realizojnë më shumë projekte, kjo sipas tij sepse nuk ka mjete të mjaftueshme.

Ai tha se nga çdo fshat kanë marr përsipër nga një kërkesë, për realizimin e një projekti ku është i përfshirë edhe fshati Vranidoll.

“Këtë vit bazuar në planifikimin që kemi e kemi marr nga një kërkesë nga një fshat i komunë së Prishtinës. Kjo do të thotë që Prishtinë i ka mbi 50 fshatra, kanë qenë diku mbi 300 kërkesa, por kapacitet nuk e lejojnë në aspektin buxhetor të zhvillojmë pesë ose gjashtë projekte vetëm në një bashkësi lokale kështu që edhe Vranidolli e ka një projekt i cili do të realizohet”, ka thënë Mehmeti. 

Te fundit


Kthehu lart