Fshati i harruar që u kthye në distinacion për turistët


Gazeta Express
25 Mars 2019 8:13

Mirdita po shfrytëzon resurset e veta për të joshur turistët. Shumë fshatra pothuajse të braktisura po kthehen në qendra atraktive. I tillë është dhe Katundi i vjetër, një fshat i harruar, por që po u afron vizitorëve shije mjaft të mirë.

Katundi i vjetër në Mirditë është destinacioni më i ri turistik shqiptar. Për shkak të natyrës, prodhimeve lokale dhe banorëve shumë punëtorë, në këtë zonë është zhvilluar turizmi gastronomik. Nga një emër gjeografik, Katundi i vjetër është sot një realitet turistik thotë Drejtori i Info-Kullës, Nik Nikolli.  Sipas tij, iniciativat e para tani janë bërë trend duke kaluar edhe tek bujtinat

Nik Nikolli: Katundi i vjetër tashmë është realitet. Nga një vend gjeografik, sot është kthyer në një qendër të turizmit, ekoturizmit në veçanti.

Të heqësh dorë nga shtëpia e të besosh tek turizmi i bujtinave është sipërmarrja e Kol Markut. Ai thotë se infrastruktura, natyra dhe burimet ujore janë shkaku kryesor i investimit që ai ka kryer dhe që sipas tij ka qenë në fakt i vonuar.

Kol Marku: Natyrisht unë jam ndër investitorët e vonuar të kësaj fushe, por mendoj se nuk është vonë kurrë për të investuar, nuk është vonë kurrë për të zhvilluar fshatin tëndë, zonën tënde, apo biznesin tënd.

Këmbëkryq si në zakon. Nuk janë të paktë ata që duan të provojnë këtë ndjesi që mundësohet në Katund të vjetër. Sofra lyp edhe këngë. Nuk mungon çiftelia dhe interpretët që nuk janë këngëtarë të mirëfilltë, por banorë që ndjekin traditën.

Kuzhinave vendase dhe produktet lokale janë elementi kryesor i kuzhinierëve në restorantet e zonës. 20-vjeçari Ndue Gjaci braktisi Lezhën për t’u kthyer në Mirditë dhe për të punuar si kuzhinier.

Ndue Gjaci: Ne do mundohemi t’i bashkangjitemi vlerave të Mirditës dhe të krijojmë diçka akoma më të bukur për vendin dhe zonën ku jemi.

Për të realizuar më të mirën nga kuzhina e Mirditës, Gjaci do të risjellë gatimet e gjysheve të zonës.

Ndue Gjaci: Do vazhdoj të pyes e të njihem me zonën ku jam. Mbi të gjitha jam krenar që i vihem me kohë plotë vendit tim për ta ndërtuar ashtu siç e meriton Mirdita dhe Mirditorët.

Drejt Katundit të vjetër udhëtojnë edhe nga kryeqyteti. Distanca e shkurtër, shmangia e zhurmës dhe gatimet janë arsye për të qëndruar më shumë se 1 natë. Për të tërhequr vizitorët dhe turistët, Kol Marku, nuk ka asnjë plan marketingu, por të bëjë më të mirën tek biznesi i tij.

Kol Marku: Nuk e di se sa mund ta arrij, por strategjia ime është e tillë, respekt, mirënjohje për të gjithë ata që vijnë. Natyrisht shërbimi është baza.

Këto pamje janë natyra e fshatit të vogël Katund i vjetër në Mirditë që çdo ditë e më shumë po tërheq vëmendjen e vizitorëve e turistëve./abcnews.al

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart