Frikësohet Prokuroria, s’ka përgjigje çka ka ndodhë me kallëzimin penal të Kurtit ndaj Thaçit e Veselit


Gazeta Express
17 Nëntor 2019 13:15

Prokuroria Themelore e Prishtinës për 23 ditë s’ka pasur asnjë përgjigje se çka ka ndodhë me kallëzimin penal Albin Kurti i cili e kishte paditur Thaçin dhe Veselin për deklarim të rrejshëm nën betim në gjykimin e organizatës që planifikonte vrasjen e liderëve të Kosovës

GAZETA EXPRESS

Lideri i VV’së Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, në prill të këtij viti kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit të atëhershëm, Kadri Veseli.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Express ka dërguar pyetje para 23 ditësh në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të ditur se çfarë po bëhet me kallëzimin penal të Kurtit, por organi i akuzës nuk ka pasur asnjë përgjigje për më shumë se tre javë.

Nuk dihet nëse Prokuroria ka marrë ndonjë veprim apo po e presin që kur Kurti të bëhet Kryeministër t’i nisin procedurat për t’i hyrë në qejf Vetëvendosjes.

Më 28 dhjetor të vitit 2018, në seancën e gjykimit të anëtarëve të grupit të quajtur “Syri i Popullit” si dëshmitarë Hashim Thaçi Kadri Veseli kishin implikuar udhëheqësit e VV’së me këtë organizatë..

Thaçi në dëshminë e tij kishte thënë se në atentatin ndaj tij kishin gisht edhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e Glauk Konjufca.

Ndërsa Kadri Veseli, e kishte quajtur organizatën ‘Syri i Popullit’ si ‘krah i armatosur i Vetëvendosjes’.

Kurti i cili e kishte cilësuar si të ashtuquajtur organizatën “Syri i Popullit”, kishte thënë se Thaçi e Veseli kanë bërë deklarime të rrejshme kundrejt tyre me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Për Kurtin, Thaçi e Veseli, kur kanë dalë për të dëshmuar para gjykatës, kanë bërë “deklarime të rrejshme nën betim”.

“Me rastin e kallëzimit penal, këtu në prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda kundër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar në procesin gjyqësorë, kundër të ashtuquajturit organizatë Syri i Popullit, me rastin e sublimit që kanë bërë këta dy krerë institucionesh kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës. Ata kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe këtë e kanë bërë nën betim prandaj ne po bëjmë sot kallëzim penal”, kishte thënë Kurti.

Ndërkaq Glauk Konjufca kishte thënë se deklarimet e Thaçit e Veselit në atë seancë janë “tendencë politike që përmes kontrollimit të drejtësisë ta eliminojnë Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Albini dhe unë padrejtësisht dhe me shpifje jemi lidhur me një organizatë që pretendohet se është terroriste. Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike e sistemit të drejtësisë”, kishte thënë Konjufca./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart