Frazat më interesante të Hazard në konferencën e parë si lojtar i Realit


Gazeta Express
13 Qershor 2019 23:50

Në një “Santiago Bernabeu” të mbushur si për ndonjë ndeshje të fortë Champions League, pasditen e enjte u bë prezantimi i blerjes më të bujshme të Real Madridit në afatin kalimtar të verës, belgut Eden Hazard.

Futbollisti, për të cilin “Los Blancos” derdhën mbi 100 milionë euro në arkat e Chelseas, zbriti në terrenin e stadiumit mitik madrilen, me bluzën e skuadrës së tij të re, të cilën nuk ngurroi ta puthë, duke ngritur në peshë entuziazmin e tifozërisë.

Më pas Hazard bëri një xhiro rreth fushës, duke shkelmuar dhjetëra topa në drejtim të tifozërisë madrilene, që e priti me entuziazëm dhe ovacione, “yllin” e ri të skuadrës, që pritët të shkëlqejë tashmë pikërisht në “Santiago Bernabeu”.

Zidane, Topi i Artë, Mbappe dhe Neymar, numri 10, penalltitë, takimi me Florentino Perez…. Hazard zbulon gjithçka para gazetarëve në konferencë për media në ditën e parë si lojtar i Real Madridi, raporton Gazeta Express.

Frazat më interesante të Hazardit:

“Pse zgjodhe Madridin? E kam ëndërruar këtë moment që kur isha i vogël, gjithmonë kam qenë tifoz i Real Madridit dhe të jem këtu e të vesh këtë fanellë është nder. Mezi pres të fillojë sezoni”.

“Zidane? Zidane ka qenë idhulli im që nga fëmijëria. Ka qenë një faktor i rëndësishëm që të vij këtu, gjithmonë kam ëndërruar që të luaj për Realin”.

“Pozicioni? Nuk kam çfarë të them, gjithmonë vendos trajneri, por do të më pëlqente anësor i majtë dhe si 10-sh”.

“Objektivi? Dua të kënaqem duke luajtur dhe të fitoj sa më shumë trofe që është e mundshme. Dua të shkruaj histori me Real Madridin”

“Penalltitë? Mendoj se kapiteni (Sergio Ramos) i godet mjaft mirë penaltitë…. por nëse me kërkon t’i gjuaj unë do t’i gjuaj, por nuk besoj, ai do të vazhdojë t’i gjuajë. Mendoj se (Ramos) do të vazhdojë të shënojë gola nga penalltitë”.

“Topi i Artë? Momentalisht jam i koncentruar në aspektin kolektiv. Topi i Artë është në kokën time, por fitimi i trofeve me Real Madridin është më e rëndësishme. Nëse vjen ajo ditë shumë mirë, pse jo?”.

“Numri 10? Kam pasur fatin të bisedojë me Modricin përmes Kovacicit. Me shaka e kam pyetur nëse mund të ma dhurojë numrin 10, me ka thënë që jo. Kështu që më duhet të kërkoj për një tjetër numër. Tani për tani, numri nuk është aspak me rëndësi”.

“Negociatat? Është e vërtetë që gjithçka filloi një vit pas Kupës së Botës, por isha në kontratë me Chelsean edhe për një vit. Mendoj se gjithçka shkoi shumë mirë. Bëra një sezon të madh, ne fituam Europa Leaguen dhe ishte momenti i duhur për të ardhur tek Real Madridi”.

“Perez? Ne u takuam në një mbrëmje në Londër, folëm qetësisht dhe më tha se ishte koha për të ardhur. Jam i kënaqur që ma tha këtë gjë”.

“Benzema? Kam qenë me fat që kam luajtur kundër tij kur ishte tek Lyon, nëntë vite këtu kanë qenë diçka e jashtëzakonshme për të. Ai është sulmuesi më i mirë në botë aktualisht dhe do të më përmirësojë edhe mua duke luajtur dhe stërvitur me të”.

“Hazard si lider? “Këtu ka shumë lojtarë lider. Nuk mendoj se është një i vetëm, besoj se gjithsecili është lider dhe besoj se grupi është më i rëndësishmi. Kam ardhur këtu të përmirësoj ekipin me eksperiencën time, me driblimet dhe golat e mi. Por, shpresoj të bëjmë të gjithë të njëjtën gjë. Kam qenë lider në kombëtare dhe tek Chelsea, sigurisht që edhe këtu do të jetë e njëjtë dhe do të jetë e njëjta përgjegjësi për mua, ja pse përpiqem të bëj më të mirë”.

“Mbappe dhe Neymar? Kam ardhur këtu për të luajtur me më të mirët, por nuk do të flas për nënshkrimet. Ka lojtarë të rinj që do të vijnë dhe ne të gjithë duhet të përshtatemi. Ata që ju përmendët janë disa nga më të mirët në botë”.

“Ndryshimi i ligës? Mendoj se stili i Premier League dhe i La Liga janë të ndryshëm…, por nuk mendoj se njëra është më e mirë se tjetra, janë stile të ndryshme. Mendoj se La Liga do të më lejojë të përfshihem dhe të përmirësoj lojën time. Dëshiroj të filloj një cikël të ri me këta lojtarë, që kanë fituar shumë”.

“28-vjeçar në Madrid? Nuk mendoj se transferimi im ka ndodhur shumë vonë; kam 28 vjet dhe jam në momentin më të mirë në karrierën time, mes 27 dhe 32 (mosha më e mirë për çdo futbollistë). Kam ëndërruar që një kohë të gjatë të jem këtu. Mendova se ishte koha e duhur dhe për atë erdha në klubin më të mirë në botë, prandaj jam këtu”. /Gazeta Express/

LIVE | Eden Hazard takes to the Bernabéu pitch!

Te fundit


Kthehu lart