Franca nuk lëshon pe, përfundon mbledhja e djeshme pa datë


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 10:11

Deri në orët e vona të natës në Bruksel kanë vijuar diskutimet midis liderëve të shteteve të Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje mbi zgjerimin. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk kishte thirrur një pushim duke shpresuar të ndërmjetësojë një marrëveshje që do të kapërcejë kundërshtimin e ashpër të presidentit francez, Macron, për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Disa draft-propozime janë në tryezë, të cilat përmbajnë edhe idenë e ndarjes së Tiranës dhe Shkupit në procesin e nisjes së negociatave.

Por gazetari i EurActiv, Gerardo Fortuna raporton se është Italia që i ka vendosur veto idesë së ndarjes së dy shteteve ballkanike, përcjellë Top-Channel. Roma nuk do të pranojë asnjë ndarje midis dy shteteve ballkanike si mundësi për zgjidhjen e këtij ngërçi, raporton gazetari Fortuna. Italianët janë të bindur se Bashkimi Evropian do të japë një sinjal më të fortë nëse bëjnë një lëvizje në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por përveç Francës, janë Holanda dhe Danimarka që po shprehen gjithashtu kundër.

Gjithsesi, burimet diplomatike thonë se nëse Franca tërhiqet edhe dy shtetet e tjera të BE-së do të bëjnë të njëjtën gjë. Por disa media në Shkup duke u thirrur në burime diplomatike kanë thënë se vendimi për dhënien e datës për dyja vendet është shtyer për në pranverë, ku kërkohet që deri atëherë të përmbushen kushtet dhe reformat e kërkuara. Kjo është bërë e ditur nga portali “360 shkallë”, që është thirrur në disa burime diplomatike. Megjithatë tashmë po shihet qartë se në Samitin e dy ditëve në Bruksel nuk ka datë për Shkupin dhe Tiranën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Te fundit


Kthehu lart