Franca konfirmon se Irani ka arrestuar dy shtetas të saj


load
Gazeta Express
16 Tetor 2019 18:49

Franca konfirmoi se edhe një akademik francez është arrestuar në Iran.

Roland Marchal është arrestuar në qershor, në të njëjtën kohë me Fariba Adelkhah, shtetase franceze dhe iraniane, tha të mërkurën Ministria e Jashtme e Francës.

Të dy ata janë studiues nga Universiteti prestigjioz i Shkencave Po në Paris.

Më herët ka qenë e ditur vetëm për arrestimin e Adelkhah.

Se për çfarë krimesh akuzohen dy akademikët nuk është e qartë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Francës, Agnes von der Muhll, u bëri thirrje autoriteteve iraniane që “të tregojnë transparencë dhe të veprojnë pa vonesa për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme”.

Raportohet se Marchal dhe Adelkhah po mbahen në burgun Evin të Teheranit.

Gazeta franceze Le Figaro dhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportuan për herë të parë për arrestimin e Marchalit më 15 tetor.

Teherani e ka cilësuar arrestimin e antropologes 60-vjeçare, Adelkhah, si çështje të brendshme.

Arrestimi i dy shtetasve francezë mund t’i komplikojë përpjekjet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të qetësuar tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Francës i paralajmëroi qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Iran, duke përmendur si arsye “tensionet rajonale” dhe “praktikat e arrestimeve dhe ndalimeve arbitrare nga shërbimet iraniane të sigurisë”.

Irani ka arrestuar dhjetëra qytetarë me shtetësi të dyfishtë në vitet e fundit, nën akuzat për spiunazh.

Autoritetet iraniane nuk kanë ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tyre.

Te fundit


Kthehu lart