Formacioni i ri qeveritarë pritet të prezantohet më së voni të shtunën


Gazeta Express
5 Qershor 2019 15:58

Të shtunën pritet që kryeministri Zoran Zaev ta shpalosë kabinetin e ri qeveritar. Burime jo zyrtare të Alsat bëjnë të ditur se deri atëherë pritet edhe marrëveshja me BDI-në lidhur me dy funksionarët e kësaj partie që do të preken nga fshesa e kryeministrit. Nga partia e Ali Ahmetit thonë se liderët janë ne bisedime dhe së shpejti pritet të dalin me qëndrime zyrtare.

“Në bazë të informacioneve që unë i posedoj, liderët janë në biseda e sipër dhe ditëve në vijim do të dalin me vendim përfundimtar”-tha Bilen Saliji, BDI.

Sadulla Duraku, ministri i ekologjisë për të cilin flitet se do të kalojë në Ministrinë e re për Sistem Politik thotë se akoma nuk ka asgjë zyrtare. Ai tha se për fatin e tij vendos kryesia e partisë.

“Nuk e di, nuk e di. Vendos Kryesia Qendrore e BDI-së. Unë jam i kënaqur që janë pjesë e BDI-së”-pohoi Sadulla Duraku, ministër i Ekologjisë.

Jo zyrtarisht pritet që ministri i Financave, Dragan Tevdovski mund të zëvendësohet me drejtoreshën e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Sanja Llukarevska, por nuk përjashtohet mundësia që në financa të kaloj edhe Koço Angjushev.

Në kuadër të ministrave të LSDM-së, nga ndryshimet do të preket edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski. As Zaev dhe as LSDM nuk bëjnë të ditur se kush është emri i cili është propozuar për këtë pozicion. Heshtje edhe në partinë Alternativa të Afrim Gashit.

Pas dorëheqjes së Asaf Ademit nga posti i ministrit të Kulturës, partia e Gashit është në negociata me kryeministrin Zaev mbi modalitetet për ndryshimin e resorit apo propozimin e emrit të rinj për këtë post.

Pas ciklit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, kryeministri Zaev tashmë disa herë ka deklaruar se deri në mesin e muajit qershor do të përfundojë procedura e rikonstruimit të Qeverisë, shkruan Alsat.

Ndryshimet do prekin edhe sekretarët shtetërorë dhe drejtoritë, derisa sipas vertikales, “fshesa” e Zaev do të prek edhe pushtetin lokal, respektivisht krerët e komunave.


Te fundit


Kthehu lart